Landfilli i Bushatit: Administratë fantazmë që ha taksat e qytetarëve
Një investigim i Piranjave në Ndërkomunalen Bushat ngre alarmin për punësime fiktive, mungesë të theksuar të kontrollit dhe emërime politike në strukturat drejtuese të ndërmarrjes. Nga 13 punonjësit që paguhen për 22 ditë pune në muaj, 10 prej tyre nuk janë gjetur në vendin e punës, por janë identifikuar duke u marrë me aktivitetet e tyre private.
Landfilli i Bushatit, i ndërtuar në vitin 2008 për depozitimin e mbetjeve të Vaut të Dejës, Shkodrës dhe Lezhës, është kthyer në qendër të një investigimi të Piranjave, i cili zbulon problematika serioze në funksionimin e Ndërkomunales.
Pavarësisht se shërbimi i mbledhjes së mbetjeve i është kaluar sektorit privat, administrata e ndërmarrjes publike vijon të mbajë në listëpagesa 13 punonjës, përfshirë drejtues, anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës dhe punonjës të administratës.
Sipas investigimit, një pjesë e tyre paguhen për 22 ditë pune në muaj, por mungojnë në mënyrë të përsëritur në ambientet e landfillit. Madje, gjatë verifikimeve në terren, roja i objektit ka deklaruar se disa prej personave të listuar nuk i njeh dhe nuk i ka parë të paraqiten në punë.
Problemet nisin që në strukturat drejtuese.
Kryetari i Bashkisë Vau-Dejës, Kristjan Shkreli, ka kompetencën për emërimin e administratorit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Por, sipas dokumentacionit dhe të dhënave të siguruara nga Piranjat, disa prej personave të përzgjedhur nuk përmbushin profilin profesional që kërkohet për këto funksione.
Investigimi zbardh lidhjet politike dhe konfliktet e mundshme të interesit, në raport me kriteret e përcaktuara në VKM-në nr. 642, datë 11.10.2005.
Në krye të Këshillit Mbikëqyrës rezulton Petrit Behari, ish-ushtarak me angazhime në strukturat e Partisë Socialiste. Ndërsa Gjergj Vasija mban pozicionin e administratorit. Në këtë strukturë bëjnë pjesë edhe Sokol Shkreli, Fran Ndoja, Simon Dodaj, Edlira Sela dhe Arlinda Ndreca, për të cilët investigimi evidenton mungesë të formimit ose përvojës profesionale përkatëse.
Por situata bëhet edhe më interesante kur vëmendja zhvendoset te punonjësit.
Drejtoresha e Burimeve Njerëzore, Altina Ndrekaj, është njëkohësisht kunatë e Edlira Selës, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës. Ndërsa ekonomistja Edona Martinaj rezulton e lidhur me kompaninë private WTO Albania, e cila operon në landfill dhe kryen riciklimin e mbetjeve, aktivitet që duhet të jetë objekt mbikëqyrjeje nga Ndërkomunalja. Përballë Piranjave, ajo deklaroi se prej vitit 2023 nuk është më administratore e kompanisë dhe se emri i saj vijon të figurojë për shkak të problemeve teknike me regjistrimin.
Verifikimet në terren sollën edhe përballje të tjera. Një prej personave të punësuar si zjarrfikës, Nikolin Kaçi, u gjet në aktivitetin e tij privat, në një lavazh në zonën e Stajkës. Ndërsa Albert Letja, i punësuar si peshorist në landfill, u kontaktua fillimisht gjatë kohës që ndodhej në një aktivitet privat si DJ. Ai pranoi se nuk paraqitej në punë, edhe pse paguhej edhe nga bashkia, ndërsa gjatë përballjes me Piranjat deklaroi se nuk kishte punë çdo ditë në landfill dhe se paraqitej rreth tri ose katër herë në javë.
Pas përballjes, ai u rikthye në ambientet e ndërmarrjes, ndërsa pretendimet për mungesat e tij u bënë pjesë e pyetjeve drejtuar drejtuesve.
Edhe administratori Gjergj Vasija nuk u gjet në disa prej vizitave të Piranjave. Në një telefonatë, ai orientoi ekipin drejt një lokali pranë banesës së tij. Kur u kontaktua për t’u përballur me kamerat, nuk pranoi të takohej. Vetëm pasi investigimi kishte nisur të krijonte shqetësim në strukturat e ndërmarrjes, ai u paraqit në landfill.
Përballë këtyre gjetjeve, kryebashkiaku Kristjan Shkreli fillimisht deklaroi se nuk ishte në dijeni të mungesave të punonjësve, por pranoi se administratori emërohet prej tij dhe se kishte përgjegjësi për të verifikuar situatën.
Ai premtoi se do të kontrollonte pretendimet, përfshirë edhe përmes kamerave të sigurisë, dhe se kushdo që nuk paraqitej në punë do të mbante përgjegjësi.
“Gjergji ose të vijë në takim ose do të japë dorëheqjen”, deklaroi Shkreli, duke shtuar se nuk kishte detyrim t’i mbante në punë persona që nuk kryenin detyrat e tyre.
Pas kësaj përballjeje, Piranjat u rikthyen në landfill në orët e para të mëngjesit për të verifikuar nëse punonjësit do të paraqiteshin në vendin e punës.
Deri në orën 10:00, më pak se gjysma e stafit ishte paraqitur.
Ndërkohë, administratori Vasija mbërriti pasi ishte njoftuar për praninë e Piranjave.
Ai këmbënguli se shkonte çdo ditë në punë, por pranoi se gjatë ditës largohej për takime dhe angazhime të tjera.
Investigimi ngre pikëpyetje jo vetëm për përgjegjësinë e punonjësve, por edhe për mënyrën se si administrohen fondet publike në një ndërmarrje që duhet të garantojë kontrollin dhe funksionimin e një prej strukturave më të rëndësishme të menaxhimit të mbetjeve në veri të vendit./ piranjat
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




