E shtunë, 7 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Rnb-Bnb”/ Studentët përzënë demokratët nga protesta, përplasjet degjenerojnë në sherr fizik dhe gurë
Lajme

“Rnb-Bnb”/ Studentët përzënë demokratët nga protesta, përplasjet degjenerojnë në sherr fizik dhe gurë

Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione të forta, përplasje fizike dhe hedhje gurësh, pasi në tubim janë shfaqur përfaqësues dhe mbështetës të Partisë Demokratike. Të rinjtë kanë kundërshtuar praninë e demokratëve, duke u kërkuar të largohen dhe duke refuzuar që protesta e tyre të marrë ngjyrime partiake.

Situata është tensionuar pas afrimit të përfaqësuesve të opozitës, të cilët kanë tentuar t’i bashkohen tubimit që studentët po zhvillojnë prej javësh kundër Ministrisë së Arsimit. Përplasjet verbale kanë përshkallëzuar në konflikt fizik, ndërsa gjatë incidentit janë hedhur edhe gurë.

Thirrjet “Largohuni!” janë dëgjuar nga protestuesit, të cilët kanë kundërshtuar përfshirjen e demokratëve në një kauzë që kërkojnë ta mbajnë të pavarur nga partitë politike.

“Rama n’burg, Berisha n’burg”, mesazhi që iu drejtua deputetëve të PD-së

Qëndrimi i studentëve ndaj opozitës është bërë edhe më i qartë përmes një banderole të vendosur përballë përfaqësuesve të Partisë Demokratike, ku shkruhej: “Rama n’burg, Berisha n’burg!”.

Me këtë mesazh, të rinjtë kanë treguar se pakënaqësia e tyre nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë së Edi Ramës, por edhe ndaj kreut të opozitës, Sali Berisha.

Studentët kanë krijuar një kordon njerëzor për të penguar afrimin e demokratëve, duke refuzuar që protesta të përdoret si platformë për aktivitetin politik të PD-së.

Nuk është hera e parë që ndodh një përplasje e tillë. Edhe një javë më parë, studentët kundërshtuan përpjekjet e demokratëve për t’iu bashkuar tubimit, duke shkaktuar debate mes palëve.

Kësaj radhe, kundërshtimi ka marrë përmasa më të forta, me përplasje fizike dhe hedhje gurësh. Mesazhi i banderolës, ndërkohë, e bëri të qartë se studentët nuk duan ta kufizojnë revoltën e tyre vetëm te njëra palë politike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.