Dosja Agasi fundos Vlora Hysenin? SPAK verifikon lidhjet për grup kriminal
Prokuroria e Posaçme (SPAK) po zgjeron verifikimet në kuadër të hetimeve për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Në fokus të hetuesve është edhe mundësia që ajo të përballet me akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, në lidhje me aktivitetin e dyshuar të biznesmenit Ergys Agasi.
Sipas të dhënave të bëra publike për çështjen, SPAK po analizon provat e administruara për të përcaktuar nëse ekzistojnë elementet e nevojshme ligjore që do të mbështesnin një akuzë të tillë. Nëse dyshimet konfirmohen, kjo do të shtonte një tjetër vepër penale në listën e akuzave që po shqyrtohen ndaj ish-drejtueses së SHISH-it.
Hetimet ndaj Hysenit përfshijnë dyshime për përkrahje të autorit të krimit, zbulim të akteve apo të dhënave sekrete, korrupsion dhe pastrim parash. Verifikimi për përfshirje të mundshme në grup të strukturuar kriminal përbën një tjetër pistë të hetimit të Prokurorisë së Posaçme.
Dosja e AKSHI-t, dyshimet për informacione konfidenciale në favor të Agasit
Çështja lidhet me hetimet për abuzimet e dyshuara me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Në këtë dosje, SPAK dyshon se Ergys Agasi ka organizuar një grup të strukturuar kriminal, i cili synonte manipulimin e procedurave të prokurimit publik.
Në këtë kuadër, hetuesit po verifikojnë nëse Vlora Hyseni ka ndihmuar biznesmenin gjatë periudhës kur ai ndodhej në arrati, duke i siguruar informacione konfidenciale shtetërore. Pikërisht natyra e kontakteve dhe informacionet që dyshohet se janë shkëmbyer janë ndër elementet që mund të përcaktojnë nëse ndaj saj do të ngrihet edhe akuza për pjesëmarrje në grup kriminal.
Apeli lë në fuqi arrestin në shtëpi për ish-drejtoreshën e SHISH
Ndërkohë, më 4 nëntor, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e Vlora Hysenit për zbutjen e masës së sigurisë. Për rrjedhojë, mbeti në fuqi masa e arrestit në shtëpi, së bashku me pezullimin nga ushtrimi i funksioneve publike.
Vetë Hyseni ka mohuar akuzat e ngritura ndaj saj, duke këmbëngulur se veprimet i ka kryer në përmbushje të detyrës. Ajo ka deklaruar se nuk e ka vendosur Shërbimin Informativ të Shtetit në shërbim të ndonjë individi apo aktiviteti që cenon interesat kombëtare të Shqipërisë.
SPAK vijon analizimin e provave për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme penale në këtë çështje, ndërsa përfshirja e Hysenit në grupin e dyshuar kriminal të Ergys Agasit mbetet një pistë hetimore dhe jo një akuzë e konfirmuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



