Zbardhet dëshmia e Robert Dukës: I lashë në kazino, shlyeva edhe borxhet
Robert Duka, i njohur edhe me emrin Albert, ka treguar para hetuesve se çfarë ka bërë me paratë e përfituara nga grabitja e dy filialeve bankare në Tiranë, ku shuma e marrë dyshohet se kalon 100 mijë euro. Në dëshminë e tij, 50-vjeçari ka pranuar se një pjesë të konsiderueshme të parave e ka shpenzuar në kazino të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa një tjetër pjesë e ka përdorur për të shlyer detyrime financiare.
Sipas deklarimeve të tij, pas grabitjeve Duka ka frekuentuar disa kazino në Tiranë, ku ka luajtur me paratë e marra nga dy filialet bankare. Ky pretendim ka bërë që grupi hetimor të kërkojë informacion nga subjektet përkatëse, me qëllim verifikimin nëse 50-vjeçari ka qenë klient i regjistruar dhe përcaktimin e shumave që mund të ketë shpenzuar.
Një tjetër pjesë e parave, konkretisht 6 mijë euro, mësohet se është shpërndarë te dy persona në Vlorë. Sipas hetimeve, Duka u ka dhënë nga 3 mijë euro secilit prej tyre. Të dy personat janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, ku kanë deklaruar se shumat e marra nuk lidheshin me grabitjen, por përfaqësonin para që 50-vjeçari ua kishte pasur borxh.
Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e shumës së grabitur është gjetur në banesën e Dukës në Vlorë, qytet ku ai kishte vendosur të jetonte, ndërsa në Tiranë qëndronte në një banesë me qira.
Në kuadër të hetimeve është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e tij, e cila rezulton të jetë e punësuar në një bankë të nivelit të dytë. E pyetur për paratë e gjetura në banesë, ajo ka deklaruar se bëhej fjalë për kursime familjare, të krijuara nga shitja e një apartamenti në kryeqytet.
Hetuesit po verifikojnë deklarimet e personave të përfshirë, si dhe destinacionin e shumës së grabitur, për të sqaruar plotësisht mënyrën se si janë përdorur paratë dhe nëse nga ngjarja kanë përfituar edhe persona të tjerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



