E mërkurë, 11 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Rama fajëson Trumpin për protestat e Flamingove, Zvërnecin e shet si mrekulli europiane
Lajme

Rama fajëson Trumpin për protestat e Flamingove, Zvërnecin e shet si mrekulli europiane

Nga Dublini, ku foli për rrugëtimin europian të Shqipërisë, Edi Rama nuk la pa komentuar as protestat që kanë përfshirë vendin për çështjen e Zvërnecit. Por në vend që të ndalet te shqetësimet mjedisore dhe kundërshtimet ndaj projektit, kryeministri zgjodhi një tjetër shpjegim: sipas tij, pas protestave qëndron urrejtja ndaj presidentit amerikan Donald Trump.

Duke iu drejtuar një audience ekspertësh, diplomatësh dhe përfaqësuesish të çështjeve ndërkombëtare, Rama e cilësoi lëvizjen kundër projektit si “revolucionin e flamingove” dhe pretendoi se çështja është kthyer në një betejë politike kundër Trump.

“Ky ‘revolucion i flamingove’ është rezultat i një urrejtjeje ndaj Donald Trump. Nëse hija e Trump nuk do ishte në sfond të kësaj çështjeje mjedisore, që nuk është as mjedisore, nuk do kishit dëgjuar për flamingot në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Me këtë argument, kryeministri pretendoi se kundërshtarët e Trump kanë gjetur bulevardin e Tiranës për të zhvilluar betejën e tyre politike. Madje, për ta ilustruar, iu referua edhe përplasjes historike mes Cezarit dhe Pompeit.

Rama foli gjithashtu për “gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta”, ndërsa krahasoi shqiptarët me irlandezët, duke i cilësuar të dy popujt kokëfortë dhe jo gjithmonë të arsyeshëm.

Kushneri nga dhëndër i Trump në investitor që do të bëhet emblemë e Europës

Pjesa tjetër e fjalës së kryeministrit iu kushtua projektit të Zvërnecit dhe Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump, investimi i të cilit ka shkaktuar kundërshtime dhe debat publik.

Rama këmbënguli se Kushner nuk ka marrë asnjë trajtim të privilegjuar dhe se qeveria shqiptare e ka vlerësuar atë si çdo investitor tjetër vendas apo të huaj.

Kryeministri shkoi edhe më tej, duke deklaruar se projekti do të transformojë Shqipërinë dhe se synimi i qeverisë është që ai të kthehet në një emblemë europiane.

“Kushner nuk duhet të shihet si dhëndër i Trump, por si person që dëshiron të investojë në Shqipëri. Projekti do të transformojë Shqipërinë”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se qeveria ka kërkuar një projekt që të bëhet emblemë në Europë, ndërsa për ligjshmërinë e veprimeve dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë tha se vendimin përfundimtar e jep gjykata.

Nga flamingot te emigracioni, Rama flet për të rinjtë që ëndërrojnë Europën

Gjatë diskutimit në Dublin, kryeministri u pyet edhe për largimin e shqiptarëve drejt vendeve të tjera. Rama e lidhi këtë fenomen me ndikimin e rrjeteve sociale dhe pamjeve që të rinjtë shohin në telefonat e tyre, të cilat, sipas tij, krijojnë një imazh jo gjithmonë realist të jetës në Europën Perëndimore.

Ai argumentoi se të rinjtë tundohen të largohen kur shohin mundësitë që ofrojnë vendet e tjera, ndërsa theksoi se emigracioni do të ndryshojë vetëm kur Shqipëria të jetë në gjendje t’u ofrojë qytetarëve më shumë arsye për të qëndruar.

Rama u ndal edhe te zhvillimet politike në Serbi, duke thënë se ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk përbën ende arsye për optimizëm në raportet me Kosovën. Sipas tij, nuk ka sinjale të qarta për ndryshim të qëndrimit serb ndaj Kosovës apo për afrimin me politikën e sanksioneve kundër Rusisë.

Megjithatë, nga të gjitha temat e diskutuara në Dublin, ishte pikërisht çështja e Zvërnecit ajo që solli deklaratat më të forta të kryeministrit: protestat për flamingot, sipas tij, nuk janë thjesht një kundërshtim ndaj një projekti, por edhe një betejë e importuar kundër Donald Trump.

Ndërkohë, premtimi për një Zvërnec që do të bëhet emblemë e Europës mbetet për t’u përballur me pyetjet dhe kundërshtimet që kanë nxitur protestat në Shqipëri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.