E enjte, 12 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
PD ndez motorët e ndryshkur për zgjedhjet për bashkitë e vendit
Lajme

PD ndez motorët e ndryshkur për zgjedhjet për bashkitë e vendit

Berisha favorizon deputetët dhe kryebashkiakët aktualë: Ja afati për kandidaturat

Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, duke përcaktuar kriteret dhe procedurat që do të ndiqen në të gjitha degët e saj. Udhëzimi i firmosur nga Sali Berisha parashikon një avantazh të veçantë për deputetët demokratë dhe kryetarët aktualë të bashkive, të cilët do të kalojnë automatikisht në fazat e mëtejshme të procesit.

Dokumenti, i firmosur më 10 nëntor, përcakton se propozimet për kandidatët do të mblidhen nga strukturat lokale të PD-së, por procesi nuk do të kufizohet vetëm te anëtarësia. Në të do të përfshihen edhe simpatizantët, profesionistët, akademikët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe komunitetet lokale.

Sipas kritereve të përcaktuara, kandidatët duhet të kenë integritet të lartë moral dhe profesional, reputacion të pacenuar, arsim të lartë dhe kontribute të dëshmuara në jetën publike, në Partinë Demokratike ose në mbrojtjen e interesit të komuniteteve.

Një nga pikat më të rëndësishme të udhëzimit është përjashtimi nga seleksionimi paraprak i deputetëve të PD-së dhe kryetarëve aktualë të bashkive. Këta të fundit konsiderohen automatikisht të kualifikuar për fazat e mëtejshme, duke shmangur filtrin fillestar që do të zbatohet për kandidatët e tjerë.

Ndërkohë, për kandidaturat e tjera, verifikimi do të kryhet nga Komisioni i Seleksionimit të Kandidaturave, i përbërë nga të paktën pesë anëtarë. Ky komision do të shqyrtojë dokumentacionin dhe brenda 15 ditëve nga përfundimi i fazës së aplikimeve do t’i propozojë Kryesisë së PD-së listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret.

Udhëzimi parashikon edhe mundësinë e vetëpropozimit. Të interesuarit duhet të dorëzojnë kërkesën formale, jetëshkrimin profesional dhe politik, formularin e vetëdeklarimit sipas ligjit të dekriminalizimit, si dhe deklarimet për të kaluarën politike dhe masat e mundshme disiplinore.

Në listën e kritereve përjashtuese përfshihen mbajtja e funksioneve të caktuara politike dhe shtetërore gjatë periudhës komuniste, bashkëpunimi me ish-Sigurimin e Shtetit dhe ekzistenca e masave disiplinore në fuqi për shkelje të Statutit apo Kodit të Etikës së PD-së.

Afati i fundit për mbledhjen e propozimeve është 30 nëntori 2026. Pas kësaj date, degët e partisë duhet të përcjellin dokumentacionin pranë Sekretariatit Organizativ dhe të Burimeve Njerëzore, për të vijuar me shqyrtimin e kandidaturave.

Procesi nis në një klimë ende të paqartë për bashkëpunimin opozitar në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe mundësinë e paraqitjes me kandidatë të përbashkët në bashkitë kryesore.

Në Tiranë, deri më tani kanë shpallur kandidaturat Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë dhe aktori Florjan Binaj, i cili pritet të garojë si kandidat i pavarur. Mbetet për t’u parë nëse Binaj do të marrë mbështetjen e PD-së dhe aleatëve të saj, apo nëse opozita do të zgjedhë të garojë me kandidatë të veçantë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.