Presidenti Begaj firmos dekretin, Esmeralda Hasani emërohet në krye të SHISH
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar emërimin e Esmeralda Hasanit në drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Vendimi është marrë më 12 nëntor 2026, pas propozimit të paraqitur nga Kryeministri.
Përmes dekretit nr. 595, të datës 12.11.2026, kreu i shtetit ka miratuar zyrtarisht emërimin e Hasanit në postin e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Në aktin e tij, Presidenti Begaj i është referuar neneve 92, shkronja “f”, dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenit 5 të ligjit nr. 8391, datë 28 tetor 1998, “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, i ndryshuar.
Sipas njoftimit zyrtar, përpara firmosjes së dekretit janë përmbushur procedurat ligjore të verifikimit, të cilat parashikohen për emërimin e zyrtarëve në poste të larta shtetërore.
Me këtë dekret, Esmeralda Hasani merr zyrtarisht drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë dhe inteligjencës në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




