E premte, 13 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
KLSH ‘fundos’ Tërmet Peçin, si i mashtroi Ibrahimajn, Meten dhe Malajn për auditimet
Lajme

KLSH ‘fundos’ Tërmet Peçin, si i mashtroi Ibrahimajn, Meten dhe Malajn për auditimet

Një tjetër skandal në administrimin e fondeve dhe institucioneve publike është evidentuar në Bashkinë e Tepelenës, gjatë periudhës kur drejtohej nga Tërmet Peçi. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një mospërputhje të rëndë mes informacioneve të raportuara në Ministrinë e Financave dhe situatës reale në administratën vendore: në dokumentet zyrtare figuronin katër auditime të përfunduara, ndërkohë që në terren nuk ishte realizuar asnjë prej tetë kontrolleve të planifikuara.

Konstatimi i KLSH-së ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si funksiononte mekanizmi i kontrollit të brendshëm në bashki dhe saktësinë e informacionit që i përcillej institucioneve qendrore, përfshirë Ministrinë e Financave, gjatë drejtimit të Delina Ibrahimajt, Ervin Metes dhe Petrit Malajt në periudhën përkatëse.

Sipas raportit të auditimit, Bashkia Tepelenë kishte parashikuar tetë kontrolle të brendshme për periudhën 2023-2025, por asnjëri prej tyre nuk ishte përfunduar. Megjithatë, në raportimet zyrtare të dërguara në Ministrinë e Financave ishte pasqyruar sikur katër auditime ishin realizuar.

Pra, në dokumentet që mbërritën në institucionin qendror paraqitej një aktivitet kontrolli që, sipas verifikimeve të KLSH-së, nuk ishte kryer.

KLSH zbulon mospërputhjen: Tetë auditime në plan, asnjë i përfunduar

Kontrollet e parashikuara nuk ishin formalitete administrative. Ato duhej të verifikonin disa prej sektorëve më të rëndësishëm të funksionimit të bashkisë, përfshirë mbledhjen e taksave vendore, administrimin e detyrimeve të prapambetura, shërbimet publike, mirëmbajtjen e rrugëve rurale dhe veprimtarinë e njësive administrative.

Këto janë fusha ku administrohen të ardhurat e qytetarëve, përdoren fondet publike dhe merren vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në shërbimet dhe investimet lokale.

Gjatë auditimit, përfaqësuesit e KLSH-së kërkuan dokumentacionin që duhej të vërtetonte përfundimin e kontrolleve. Por administrata e bashkisë nuk arriti të paraqiste raporte përfundimtare, duke vënë në dispozicion vetëm një projekt-raport që kishte mbetur i papërfunduar.

Në raportin e tij, KLSH e evidenton qartë këtë kontradiktë:

“Nuk është realizuar plani i auditimeve, nga 8 auditime të planifikuara, nuk është realizuar asnjë prej tyre, dhe për këtë nuk pasqyrohet arsye. Theksojmë se në Ministrinë e Financave është raportuar informacion tjetër, pra sikur janë realizuar 4 auditime”.

Ky konstatim ngre një pyetje thelbësore: kush e përpiloi dhe kush e firmosi informacionin që iu dërgua Ministrisë së Financave, duke paraqitur si të kryera kontrolle që, sipas KLSH-së, nuk ishin realizuar?

Auditimi i brendshëm pa staf të mjaftueshëm dhe pa certifikime profesionale

Problemet e evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk kufizoheshin vetëm te raportimi i pasaktë i auditimeve.

Sipas raportit, struktura përgjegjëse për kontrollin e brendshëm nuk dispononte numrin e nevojshëm të punonjësve për të përmbushur detyrat e saj. Për më tepër, drejtuesja e sektorit të auditimit të brendshëm dhe një prej specialisteve nuk zotëronin certifikimin profesional të kërkuar për ushtrimin e këtyre funksioneve.

Kjo situatë kishte pasoja konkrete në mbikëqyrjen e administratës. Gjatë vitit 2025, kishin mbetur jashtë kontrollit edhe sektorë me rëndësi të veçantë për përdorimin e parave publike, si prokurimet dhe tenderat, lejet e ndërtimit dhe shërbimet që u ofrohen qytetarëve.

Në këtë mënyrë, një strukturë që duhej të garantonte ligjshmërinë dhe transparencën e veprimtarisë së bashkisë rezultonte me mungesa në personel, mangësi në kualifikimin profesional dhe mosrealizim të planit të punës.

KLSH ngarkon me përgjegjësi Tërmet Peçin, mbetet pikëpyetja për Ministrinë e Financave

Për problematikat e konstatuara, KLSH ka ngarkuar me përgjegjësi Tërmet Peçin, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tepelenë gjatë periudhës së audituar, si dhe përgjegjësen e sektorit të auditimit të brendshëm.

Një tjetër element i evidentuar në raport është fakti se Bashkia Tepelenë nuk ka paraqitur kundërshtime ndaj konstatimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit pas njohjes me projekt-raportin.

Ndërkohë, auditimi ka nxjerrë në pah edhe problematika të tjera në administrimin e institucionit, mes tyre parregullsi në tendera, investime publike me efektivitet të ulët, të ardhura të pambledhura dhe një numër të konsiderueshëm pronash publike që vijojnë të jenë të paregjistruara.

Por përtej përgjegjësisë së drejtuesve vendorë, një tjetër çështje kërkon sqarim: çfarë ndodhi me informacionin që Bashkia Tepelenë i dërgoi Ministrisë së Financave?

Mbetet për t’u kuptuar nëse ministria verifikoi raportimet e mbërritura nga bashkia, nëse kërkoi dokumentacionin që provonte realizimin e katër auditimeve apo nëse mospërputhja u zbulua vetëm pas kontrollit të KLSH-së.

Në një kohë kur në dokumentet zyrtare paraqiteshin kontrolle të kryera, ndërsa audituesit e shtetit nuk gjetën prova për përfundimin e asnjërit prej tyre, përgjegjësia për saktësinë e raportimeve dhe funksionimin e mekanizmave të mbikëqyrjes mbetet një çështje që kërkon përgjigje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.