E premte, 13 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Hita në Itali me drejtuesit e Antimafias: Strategji e re kundër grupeve kriminale
Lajme

Hita në Itali me drejtuesit e Antimafias: Strategji e re kundër grupeve kriminale

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim të nivelit të lartë me drejtuesit e Policisë Kriminale dhe të Drejtorisë Hetimore Antimafia në Itali, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në këtë vend. Në fokus të bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy shteteve për goditjen e organizatave kriminale që shtrijnë aktivitetin e tyre përtej kufijve, si dhe intensifikimi i operacioneve kundër trafikut të drogës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme.

Hita dhe delegacioni shqiptar u pritën në Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale nga prefekti Raffaele Grassi, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Sigurisë Publike dhe njëkohësisht Drejtor Qendror i Policisë Kriminale, si dhe nga gjenerali Nicola Massimo Masciulli, drejtues i Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA).

Në takim morën pjesë edhe drejtues të tjerë të strukturave të rëndësishme policore italiane, mes tyre drejtoresha qendrore e Shërbimeve Antidrogë, Lorena Di Galante, drejtori i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor, Lorenzo Bucossi, si dhe drejtori i Shërbimit Qendror Operacional të Policisë (SCO), Marco Calì.

Operacionet e përbashkëta dhe kapja e personave në kërkim

Diskutimet u përqendruan te krijimi i një koordinimi më të ngushtë operacional dhe hetimor për identifikimin dhe goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në territorin shqiptar dhe italian.

Një ndër prioritetet kryesore ishte lufta kundër trafikut të narkotikëve, trafiqeve të paligjshme, krimeve kibernetike dhe formave të tjera të kriminalitetit ndërkufitar.

Vëmendje e posaçme iu kushtua shkëmbimit të informacionit dhe të dhënave të inteligjencës policore në kohë reale, koordinimit të operacioneve mes strukturave të të dyja vendeve dhe hetimit të burimeve financiare të organizatave kriminale.

Një tjetër çështje e rëndësishme ishte lokalizimi dhe arrestimi i personave të shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe italiane, përmes intensifikimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes institucioneve ligjzbatuese.

Gjatë takimit, Skënder Hita shprehu angazhimin e Policisë së Shtetit për të zgjeruar më tej bashkëpunimin me homologët italianë, duke paralajmëruar rritjen e numrit dhe kapaciteteve të skuadrave të përbashkëta hetimore.

Synimi, sipas tij, është zhvillimi i hetimeve më të thelluara dhe organizimi i operacioneve të koordinuara për të goditur strukturat kriminale në të gjithë shtrirjen e tyre, pavarësisht kufijve shtetërorë.

Nga ana tjetër, prefekti Raffaele Grassi dhe gjenerali Nicola Massimo Masciulli vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me Policinë shqiptare, duke veçuar punën e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, si dhe koordinimin me Interforcën pranë Ambasadës Italiane në Tiranë.

Drejtuesit italianë shprehën gatishmërinë për ta çuar partneritetin në një fazë të re, përmes hartimit të një strategjie të përbashkët që synon rezultate konkrete kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve kriminale ndërkombëtare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.