“I kemi elektorat për zgjedhje”, zbardhen bisedat e Sara Milas me drejtoreshën vendore
Komunikimet e zbardhura nga hetimet e Prokurorisë nxjerrin në pah dyshimet për përdorimin e skemës së ndihmës ekonomike në funksion të interesave elektorale në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Në qendër të dosjes është deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, e cila, sipas komunikimeve të gjetura në telefonin e një zyrtareje vendore, i kishte kërkuar kësaj të fundit përfshirjen e një liste familjesh në skemën e ndihmës ekonomike.
Në një prej mesazheve të zbuluara, Mila i drejtohet drejtoreshës së Shërbimit Social Shtetëror në Elbasan me një kërkesë që, sipas përmbajtjes së komunikimit, lidhej drejtpërdrejt me mbështetjen elektorale.
“Listën bashkëlidhur duhet ta fusim në skemën e ndihmës ekonomike, se i kemi elektorat për zgjedhje”, mësohet të ketë shkruar kandidatja socialiste.
Pas marrjes së mesazhit, drejtoresha vendore ia përcjell kërkesën një vartësi të saj, duke i bërë të ditur se bëhej fjalë për një kërkesë të kandidates që duhej të zbatohej.
Nga 110 në 320 familje përfituese
Një prej elementeve që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është rritja e ndjeshme e numrit të familjeve të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike. Sipas të dhënave të dosjes, nga 110 familje që trajtoheshin fillimisht, numri i përfituesve u rrit në 320.
Dyshimet e hetimit lidhen me përfshirjen në këtë skemë të familjeve që nuk plotësonin kriteret ligjore për përfitimin e ndihmës ekonomike. Sipas akuzës së ngritur në kuadër të hetimeve, kjo ndërhyrje dyshohet se synonte sigurimin e mbështetjes së tyre me votë për kandidaten socialiste.
Mesazhet u gjetën në telefonin e drejtoreshës
Komunikimet e Sara Milës janë zbuluar gjatë këqyrjes së celularit të drejtoreshës vendore, pajisje e sekuestruar nga Prokuroria e Elbasanit në kuadër të një hetimi të nisur ndaj zyrtares për dyshime mbi shpërdorimin e detyrës.
Me avancimin e hetimeve, çështja është transferuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për shkak të kompetencës. Aktualisht, SPAK po heton dyshimet për korrupsion zgjedhor dhe rolin që mund të ketë pasur deputetja në ndërhyrjet e pretenduara te strukturat vendore.
Në fokus të hetuesve janë komunikimet e drejtpërdrejta mes kandidates dhe zyrtarëve të administratës, si dhe dyshimet se skema e ndihmës ekonomike është përdorur për të krijuar përfitime për familje të caktuara në këmbim të votave.
Sara Mila rezultoi deputetja më e votuar në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Megjithatë, hetimi i SPAK-ut synon të përcaktojë përgjegjësitë konkrete të personave të përfshirë dhe nëse komunikimet e zbuluara përbëjnë elemente të veprës penale të korrupsionit zgjedhor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



