Spiropali shpërthen ndaj Ballukut: Kush janë këta që na shantazhojnë kur flasim për ‘shefen’?
Përplasjet dhe pakënaqësitë brenda Partisë Socialiste kanë dalë në pah edhe gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, ku deputetja Elisa Spiropali ka artikuluar kritika të forta për mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe për ndikimin që, sipas saj, ushtrojnë individë të caktuar mbi administratën publike.
Në fjalën e saj, Spiropali denoncoi një klimë presioni dhe intimidimi ndaj socialistëve që guxojnë të shprehin rezerva apo të kritikojnë figura të rëndësishme brenda mazhorancës. Ndonëse nuk përmendi drejtpërdrejt emrin e Belinda Ballukut, përdorimi i shprehjes “shefja”, së bashku me referencat ndaj njerëzve që veprojnë në emër të saj, e bëri deklaratën politikisht të lexueshme.
Spiropali pretendoi se presioni nuk kufizohet vetëm në përballjet politike, por shkon deri në dyert e banesave të familjarëve, ndërsa si mjete intimidimi përmendi gjobat, shantazhet, përdorimin e institucioneve dhe publikimin e informacioneve përmes portaleve.
“Sa herë themi një fjalë për ‘shefen’ apo për ‘shefin’, na vijnë te dyert e familjeve. Kush janë këta?”, ishte një nga pyetjet më të forta që deputetja drejtoi gjatë fjalës së saj.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për mënyrën e funksionimit të administratës, duke akuzuar drejtues të institucioneve se nuk veprojnë në shërbim të qytetarëve, por në interes të individëve të caktuar.
Sipas Spiropalit, në krye të disa institucioneve janë vendosur persona pa meritë dhe pa integritet, të cilët, në vend që të garantojnë paanshmërinë institucionale, përdorin pozicionet e tyre për të ushtruar presion.
“Shkojnë në krye të këtyre institucioneve njerëz pa asnjë lloj merite, publike, politike apo njerëzore. Pa asnjë masë integriteti. I shërbejnë vetëm një apo dy njerëzve. Të verbër!”, deklaroi ajo.
Ish-kryetarja e Kuvendit u ndal edhe te përgjegjësia politike për gjendjen e administratës, duke rikthyer në vëmendje nevojën për ndryshime të thella në drejtimin e institucioneve. Ajo kërkoi të dihet se kush i ka emëruar drejtuesit aktualë, cilat interesa përfaqësojnë dhe kush po pengon largimin apo zëvendësimin e tyre.
Një tjetër pjesë e fjalës së saj kishte të bënte me raportin mes Partisë Socialiste dhe mënyrës së shpërndarjes së pushtetit. Spiropali kritikoi atë që e konsideroi si një model ku vendimmarrja dhe përfitimet ndahen mes individëve apo grupeve të caktuara, në vend që të shërbejnë për interesin e përgjithshëm.
Ajo kujtoi edhe betejat e saj të mëparshme politike në mbështetje të mazhorancës, duke lënë të kuptohet se kontributi i saj dhe i socialistëve të tjerë nuk duhet të zhbëhet nga mënyra se si funksionojnë sot strukturat e pushtetit.
Në fund, Spiropali ngriti një pyetje që shkon përtej debatit për individë të veçantë: nëse ky është modeli politik dhe ekonomik që synon të përfaqësojë Partia Socialiste.
Deklaratat e saj vijnë në një moment kur brenda mazhorancës po shfaqen sinjale të pakënaqësisë, ndërsa çështja e Belinda Ballukut dhe akuzat që rëndojnë ndaj saj kanë shtuar tensionet politike.
Pjesë nga fjala e Elisa Spiropalit në asamblenë e Partisë Socialiste:
Spiropali: Kemi besuar tek Shqipëria Europiane, tek Shqipëria e transformuar, tek Shqipëria e lirë, tek Shqipëria me institucione të pavarura, tek Shqipëria që u jep mundësinë të giithëve, tek Shqipëria që bën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Tek kjo Shqipëri besojmë ne.
Nëse kjo quhet një flamingo, mirë mo, po shpallem unë flamingo i parë.
Nga dita e parë deri më sot kemi komunikuar privatisht, por një fjalë nuk e kam thënë publikisht. Ndoshta e kam komunikuar me ju, me disa anëtarë të grupit, kaq…duke njohur institucionet.
Ne nuk mund të na bëjnë presion ca njerëz që në ato institucione na turpërojnë çdo ditë.
Në administratën më të dobët që kemi patur ndonjëherë në histori.
Jo se është administratë që është përzgjedhur këtu me kriteret më të mira, por se në krye të këtyre institucioneve shkojnë njerëz pa asnjë lloj merite, publike, politike, njerëzore! Pa asnjë masë integritet! I shërbejnë vetëm një apo dy njerëzve. Të verbër!
E dinë të gjithë këtu… meqënëse u fol për atë që dinë të gjithë dhe nuk e themi, atëherë le ta themi se si krerët e këtyre institucioneve nuk e kanë mendjen t’u përgjigjen qytetarëve, nuk e kanë mendjen as të jenë të barazlarguar nga kjo lojë e shëmtuar politike, nuk e kanë mendjen as aty të thonë “sa mirë që Partia Socialiste më ka besuar”, por ata e kanë mendjen të bëjnë presion, ata e kanë mendjen të bëjnë shantazh.
Kjo është administrata që ju me të drejtë e thatë nga Podgorica se ‘duhet ndryshuar e tëra’ dhe të gjithë drejtorët që janë aty.
Ku janë këto ndryshime? Kush i pengon këto ndryshime? Si janë emëruar këta njerëz? Kë përfaqësojnë këta?
Këta që na vijnë ne nëpër dyert e familjeve sa herë themi një fjalë për “shefen” apo për “shefin”. Kush janë këta? Këta që përdorin çdo mjet të mundshëm, nga gjobat dhe shantazhet, tek përdorimi i institucioneve dhe çojnë letra që janë në besim të institucioneve i çojnë duke përdorur njerëz dhe paguar portale.
Ne disa analiza duhet t’i bëjmë.
Pse kjo administratë ka shkuar në pikën që i shërben më shumë njerëzve dhe klaneve dhe jo interesit publik?
Kjo është thjesht flamingo? Dakord pra, jam flamingo, po është thjesht kështu.
Unë mendoj se jam socialiste, se unë i kam bërë të gjitha betejat në Partinë Socialiste, atëherë kur ministrat ulnin kokën se kishin “punë të tjera”. Duhet t’i përgjigjeshim ne Sali Berishës, vinin fytyrën tonë, sulmoheshim pafund. Unë personalisht, nuk e di për të tjerë.
Për ty! Për ty!
Që ti mund të qeverisje!
Ku ishin këta, këta që ndanë pushtetin si tortë familjare. Pse ky është modeli i PS? A do ta bëjmë ne një model ekonomik që të jetë funksional për tē gjithë apo do vazhdojmë të ndajmë tortal me mesazhe?
Ky është modeli i Partisë Socialiste?
Ky është modeli që meritojnë fëmijët tanë?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



