Pas “zbythjes” së Spiropalit, Balluku i betohet për besnikëri Ramës
Pas zhvillimeve në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku Edi Rama kërkoi largimin e Elisa Spiropalit nga forumet drejtuese të partisë, Belinda Balluku ka zgjedhur të përcjellë një mesazh publik për unitetin dhe disiplinën brenda PS-së.
Ish-zëvendëskryeministrja ka publikuar në rrjetet sociale një kolazh fotografish nga mbledhja e Asamblesë, ku shfaqet në momente të qeshura me Taulant Ballën, ndërsa në disa prej fotove është edhe kryeministri Edi Rama.
“Partia Socialiste është një familje e madhe”, shkruan Balluku, duke theksuar se mendimet e ndryshme janë pjesë e natyrshme e kësaj strukture, por ajo që i bashkon socialistët është më e rëndësishme.
“Diversiteti i mendimeve është pjesë e natyrshme e familjes sonë, por ajo që na bashkon është më e rëndësishme: besimi, përgjegjësia dhe angazhimi për të ecur përpara së bashku”, shprehet ajo.
Në vijim, Balluku vë theksin te uniteti, disiplina dhe organizimi i strukturave partiake, duke e lidhur këtë frymë me objektivin elektoral të socialistëve për zgjedhjet e ardhshme.
“Suksesi ynë qëndron te uniteti, disiplina dhe mbi të gjitha, organizimi kapilar i strukturave tona”, shkruan ajo, ndërsa shpreh bindjen për fitore më 9 maj, nën drejtimin e Edi Ramës.
Mesazhi vjen në një moment tensionesh brenda Partisë Socialiste, pas përplasjes publike mes Ramës dhe Spiropalit. Kjo e fundit ka përcjellë gjithashtu mesazhe kritike, duke përdorur referenca për “shefen” dhe presionet që, sipas saj, mund të shtrihen deri te familjet.
Ndërkohë, Rama ka deklaruar se Partia Socialiste nuk i bën avokatin askujt, përfshirë edhe Ballukun, ndaj së cilës rëndojnë akuza dhe hetime nga SPAK.
Në këtë klimë, postimi i Ballukut interpretohet si një sinjal për rikthimin te linja e unitetit partiak dhe mbështetjes ndaj kryeministrit. Ajo nuk ka bërë koment publik në lidhje me çështjet që po hetohen nga SPAK.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



