E diel, 15 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Shpërthen Vjosa Osmani: Po tentojnë të falsifikojnë historinë e Kosovës
Lajme

Shpërthen Vjosa Osmani: Po tentojnë të falsifikojnë historinë e Kosovës

Ish-presidentja: Ibrahim Rugova është Ati Themelues i Kosovës

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj asaj që i cilëson si përpjekje të koordinuara për të denigruar figurën e Ibrahim Rugovës dhe për të zbehur kontributin e tij në historinë e shtetformimit të Kosovës.

Përmes një deklarate publike, Osmani e cilëson Rugovën si “Atin Themelues të Republikës së Kosovës”, duke kundërshtuar pretendimet se meritat e tij historike kufizohen vetëm deri në vitin 1994.

Sipas saj, përpjekjet për të mohuar rolin e ish-presidentit deri në vitin 2006 janë një tentativë për të falsifikuar historinë e vendit.

“Të shpifësh se Rugova kishte merita vetëm deri më 1994 dhe të mohosh gjithçka që bëri deri në vitin 2006, është përpjekje e qëllimshme për ta falsifikuar historinë”, shkruan Osmani.

Ajo thekson se gjatë pesë viteve në krye të Presidencës, në takimet e zhvilluara me liderë botërorë, kontributi i Rugovës në ndërtimin e shtetit dhe të aleancave ndërkombëtare të Kosovës është përmendur vazhdimisht.

Në reagimin e saj, Osmani rendit kontributin e Rugovës në organizimin e rezistencës politike, krijimin e institucioneve paralele gjatë okupimit, ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe përfaqësimin institucional të vendit pas luftës, në rrugën drejt pavarësisë.

Ish-presidentja ndalet veçanërisht te pretendimet për lidhje të Rugovës me regjimin e Slobodan Millosheviqit, duke i cilësuar ato si shpifje. Ajo kujton se Rugova ishte shënjestruar vazhdimisht nga regjimi serb dhe ishte rrëmbyer gjatë luftës.

Osmani përmend gjithashtu dëshminë e Rugovës në Tribunalin e Hagës, ku ai foli për krimet serbe dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në deklaratë, ajo mbron edhe Fanë Rugovën, bashkëshorten e ish-presidentit historik, duke dënuar publikisht atë që i quan shpifje dhe sulme ndaj saj.

Në përfundim, Osmani u drejtohet atyre që, sipas saj, po përpiqen të rishkruajnë historinë përmes botimeve dhe pretendimeve të pavërtetuara, duke këmbëngulur se vendi i Ibrahim Rugovës në historinë dhe kujtesën kolektive të Kosovës nuk mund të ndryshohet.

“IBRAHIM RUGOVA ËSHTË ATI THEMELTAR I REPUBLIKËS SONË! Pranojeni këtë realitet. Ky është vendi i tij në histori e në zemrat e popullit të Kosovës dhe asnjë fushatë denigrimi nuk mund ta ndryshojë”, përfundon reagimin ish-presidentja.

Reagimi i plotë:

RRETH PËRPJEKJEVE TË KOORDINUARA PËR TA DENIGRUAR ROLIN E PRESIDENTIT RUGOVA

Ibrahim Rugova është Ati Themeltar i Republikës së Kosovës. As vitet e okupimit, as lufta dhe as vitet e pasluftës nuk mund të shkëputen nga roli i tij historik në ndërtimin e shtetit tonë.

Të shpifësh se Rugova kishte merita vetëm deri më 1994 dhe të mohosh gjithçka që bëri deri në vitin 2006, është përpjekje e qëllimshme për ta falsifikuar historinë. Por aspak e papritur nga ata që mund ta kenë parë si bashkëpunëtor Stanishiqin.

Gjatë pesë viteve të mandatit tim si Presidente, në qindra takime me liderë botërorë, ata kanë përmendur vetëm kontributin e Rugovës në ndërtim të shtetit e aleancave. Asnjëherë nuk kanë përmendur ndonjë lider tjetër, e kjo tregon shumë për rolin e tij.

Rugova ndërtoi rezistencën politike, organizoi institucionet e shtetit të Kosovës kur ato ishin të ndaluara, ndërtoi celulat e para të rezistencës së armatosur, ndërkombëtarizoi çështjen tonë dhe, pas luftës, udhëhoqi përfaqësimin institucional të Kosovës në rrugën drejt pavarësisë. Ndërsa insinuatat për lidhje me Millosheviqin janë shpifje të ulëta. Edhe më të ulëta janë shpifjet ndaj Zonjës së Parë të shtetit të Kosovës, znj. Fanë Rugova.

Rugova ishte sulmuar vazhdimisht nga regjimi i Millosheviqit dhe u rrëmbye dhunshëm nga ai regjim, siç dëshmohet edhe nga dëshmitarët ndërkombëtarë. Dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës për krimet serbe dhe luftën e drejtë të UÇK-së është pjesë e historisë së dokumentuar.

Prandaj, historia nuk mund të rishkruhet përmes botimeve të shpifësve recidivistë, as e vërteta të zëvendësohet me shpifjet e tyre të njëpasnjëshme.

Po ua përsëris: IBRAHIM RUGOVA ËSHTË ATI THEMELTAR I REPUBLIKËS SONË!

Pranojeni këtë realitet. Ky është vendi i tij në histori e në zemrat e popullit të Kosovës dhe asnjë fushatë denigrimi nuk mund ta ndryshojë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.