Nga Shkodra në Lushnjë, PD “ndez motorët” për zgjedhjet lokale 2027
Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, ndërsa brenda strukturave të saj kanë filluar të qarkullojnë emrat e parë të mundshëm për garën për kryetar bashkie. Në fokus janë pesë bashki të rëndësishme, ku opozita po shqyrton kandidimin e deputetëve dhe figurave që kanë një profil të njohur politik në zonat përkatëse.
Sipas burimeve brenda opozitës, në listën e emrave që po diskutohen janë Kliti Hoti për Shkodrën, Saimir Korreshi për Lushnjën, Gjin Gjoni për Lezhën, Flamur Hoxha për Kukësin dhe Arjan Ndoja për Durrësin.
Shkodra, Kliti Hoti përballë kandidatit të mundshëm socialist
Në Shkodër, një prej bashkive me peshë të veçantë në përballjet politike mes së majtës dhe së djathtës, emri që po merr vëmendje në radhët e demokratëve është ai i deputetit Kliti Hoti.
Hoti ka fituar mandatin e deputetit në qarkun e Shkodrës nën siglën e Partisë Demokratike dhe konsiderohet një prej emrave që mund të përfaqësojë opozitën në garën për drejtimin e bashkisë.
Nga ana tjetër, në kampin socialist pritet të ketë ndryshime në përfaqësimin e ardhshëm elektoral. Kryebashkiaku aktual, Benet Beci, nuk pritet të kërkojë një mandat të dytë, ndërsa si një prej emrave të mundshëm për ta zëvendësuar përmendet Enea Karakaçi.
Lushnjë, Saimir Korreshi në garë për kandidaturën
Në Lushnjë, një tjetër emër që po shqyrtohet nga Partia Demokratike është deputeti Saimir Korreshi. Avokat me profesion dhe përfaqësues i qarkut Fier në Kuvend, Korreshi ka drejtuar më herët edhe degën lokale të PD-së.
Gjatë aktivitetit të tij politik, ai është dalluar për qëndrimet kritike ndaj drejtimit aktual të bashkisë dhe administratës vendore. Përvoja në strukturat e partisë dhe njohja me problematikat e zonës e kanë vendosur emrin e tij në diskutimet për kandidaturën e mundshme.
Lezhë, Gjin Gjoni emri që po shqyrtohet nga demokratët
Për Bashkinë e Lezhës, emri që përmendet si një prej alternativave kryesore është ai i Gjin Gjonit, ish-gjyqtarit të Gjykatës së Apelit.
Gjoni ka qenë pjesë e procesit të primareve të Partisë Demokratike, ku ka siguruar rezultatin më të lartë në rang qarku. Ky rezultat përmendet si një prej elementeve që mund të ndikojnë në vendimmarrjen për kandidaturën e tij në zgjedhjet vendore.
Kukës, Flamur Hoxha një nga alternativat e PD-së
Në Kukës, demokratët po shqyrtojnë mundësinë e kandidimit të deputetit Flamur Hoxha. Ai ka mbajtur disa mandate parlamentare dhe ka qenë drejtues i listës së Partisë Demokratike në këtë qark.
Kukësi konsiderohet një zonë me mbështetje tradicionale për të djathtën, çka e bën përzgjedhjen e kandidatit një vendimmarrje me rëndësi për strategjinë elektorale të opozitës.
Durrës, Arjan Ndoja në skenarin e mundshëm të opozitës
Edhe në Durrës ka nisur të qarkullojë një emër konkret. Bëhet fjalë për Arjan Ndojën, ish-prokurorin, i cili në zgjedhjet parlamentare rezultoi demokrati më i votuar në qarkun e Durrësit.
Mbështetja elektorale e marrë në këtë qark e ka futur atë në diskutimet për një kandidim të mundshëm në garën për drejtimin e bashkisë.
Tirana, kandidati pritet të dalë nga negociatat opozitare
Ndryshe nga pesë bashkitë e tjera, për Tiranën opozita pritet të ndjekë një proces më të gjerë konsultimesh, me synimin për të arritur një marrëveshje mes forcave politike kundërshtare të mazhorancës.
Në këtë kuadër, Flor Binaj ka deklaruar se do të garojë si kandidat i pavarur, ndërsa Arlind Qori pritet të përfaqësojë Lëvizjen Bashkë.
Megjithatë, diskutimet për një emër të përbashkët të opozitës mbeten të hapura dhe do të varen nga negociatat mes partive dhe aktorëve politikë.
Vendimi përfundimtar, pas konsultimeve me degët e PD-së
Pavarësisht emrave që kanë dalë në qarkullim, asnjë prej kandidaturave të përmendura nuk është konfirmuar zyrtarisht nga drejtuesit e Partisë Demokratike.
Përzgjedhja pritet të bëhet pas konsultimeve me strukturat lokale dhe degët e partisë në bashkitë përkatëse. Një prej mundësive që po shqyrtohet është edhe zhvillimi i primareve, përmes të cilave anëtarësia do të ketë rol në përcaktimin e kandidatëve.
Zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 pritet të jenë një tjetër përballje e rëndësishme për opozitën, e cila synon të rikthejë drejtimin e disa prej bashkive kryesore të vendit. Për momentin, pesë emrat e mësipërm mbeten pjesë e diskutimeve të brendshme dhe jo kandidatura të shpallura zyrtarisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco








