Von der Leyen vlerëson Shqipërinë, por nuk jep asnjë datë për anëtarësimin në BE
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, por ka shmangur dhënien e një afati konkret për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Gjatë Forumit të Dytë të Zgjerimit, që po zhvillohet në Bruksel, ku merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama, kreu i Komisionit Europian e renditi Shqipërinë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë shënuar përparim në rrugën drejt anëtarësimit. Megjithatë, mesazhi i saj u përqendrua te nevoja që ky proces të shoqërohet me rezultate të prekshme dhe hapa konkretë, përtej deklaratave politike për progresin e arritur.
Në fjalën e mbajtur në aktivitetin me temë “Europë më e gjerë – Europë më e fortë”, Von der Leyen theksoi se zgjerimi përbën një mundësi strategjike për të ardhmen e kontinentit dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë potencial për të kontribuar në ekonominë dhe tregun e përbashkët europian.
“Talentet e reja të Ballkanit Perëndimor do të sjellin vlera në tregun e përbashkët europian. Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit. Në vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmerren hapa të mëdhenj. Ky është një moment i rëndësishëm dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, u shpreh presidentja e Komisionit Europian.
Zgjerimi i BE-së, Von der Leyen sjell si shembull Poloninë: Sot ekonomia e saj është trefishuar krahasuar me Bjellorusinë
Për të argumentuar rëndësinë e zgjerimit, Von der Leyen iu referua valës së madhe të anëtarësimeve të vitit 2004, kur disa shtete të Europës Qendrore dhe Lindore iu bashkuan Bashkimit Europian.
Sipas saj, ky proces solli transformime të rëndësishme ekonomike dhe përmirësoi ndjeshëm perspektivën e miliona qytetarëve. Si shembull, ajo përmendi Poloninë dhe Bjellorusinë, duke krahasuar zhvillimin ekonomik të dy vendeve gjatë tri dekadave të fundit.
Presidentja e KE-së pretendoi se, ndonëse rreth 30 vite më parë të dyja vendet kishin nivele të krahasueshme ekonomike, sot Prodhimi i Brendshëm Bruto i Polonisë është rreth tri herë më i madh se ai i Bjellorusisë.
“Zgjerimi transformoi jetën e miliona njerëzve, duke nisur që nga viti 2004. Ai solli një transformim të jashtëzakonshëm ekonomik. Polonia dhe Bjellorusia ishin në nivele të ngjashme, ndërsa sot GDP-ja e Polonisë është tri herë më e madhe”, deklaroi Von der Leyen.
Ajo argumentoi gjithashtu se pranimi i vendeve të reja nuk sjell vetëm përfitime ekonomike, por forcon edhe sigurinë dhe pozicionin gjeopolitik të Bashkimit Europian, veçanërisht përballë kërcënimeve nga Rusia.
Brukseli kërkon rezultate, jo vetëm reforma në letër
Një tjetër element i rëndësishëm i deklaratave të Von der Leyen ishte përgjegjësia e vetë Bashkimit Europian për t’u përgatitur institucionalisht për zgjerimin e ardhshëm.
Sipas saj, procesi nuk mund të mbështetet vetëm te përmbushja e detyrimeve nga vendet kandidate. Edhe institucionet europiane duhet të përshtatin mënyrën e funksionimit dhe mekanizmat e vendimmarrjes, në mënyrë që Unioni të jetë i gatshëm të përballojë anëtarësimin e shteteve të reja.
Në këtë kuadër, ajo nënvizoi se duhet të ekzistojë një lidhje e drejtpërdrejtë mes përparimit në reforma, avancimit drejt anëtarësimit dhe përfshirjes graduale në tregun e përbashkët europian.
“Duhet të përgatitim edhe Unionin. Procesi fillon me vendimmarrjen e BE-së. Shtetet duhet ta dinë se progresi në reforma sjell progres në anëtarësim dhe në tregjet e përbashkëta për të dyja palët. Së bashku mund të hedhim hapin e radhës drejt bashkimit të familjes sonë europiane”, theksoi presidentja e Komisionit Europian.
Pavarësisht vlerësimit pozitiv për Shqipërinë, deklaratat e saj nuk përmbajnë një garanci për përshpejtimin e anëtarësimit dhe as një datë se kur vendi mund të bëhet pjesë e BE-së.
Për qeverinë shqiptare, mesazhi nga Brukseli mbetet i qartë: përparimi në negociata duhet të dëshmohet përmes rezultateve konkrete në zbatimin e reformave. Rruga drejt anëtarësimit do të varet nga përmbushja e kritereve, vlerësimi i vendeve anëtare dhe gatishmëria e vetë Bashkimit Europian për të pranuar anëtarë të rinj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



