Dosja Balluku, SPAK lë të hapur mundësinë e një kërkese të re për arrestim?
Çfarë deklaroi Braho për imunitetin?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka depozituar në gjykatë kërkesën për dërgimin në gjyq të dosjes penale ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe personave të tjerë të marrë të pandehur. Krahas detajeve për hetimin, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, është ndalur edhe te çështja e imunitetit të Ballukut dhe mundësia e paraqitjes së një kërkese të re për autorizimin e arrestimit të saj.
Gjatë një takimi me gazetarët, Braho konfirmoi se dosja është dërguar për gjykim, ndërsa bëri të ditur se për hetimin janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kërkesa në gjykatë është depozituar nga prokurori Dritan Prençi.
Një pjesë e rëndësishme e komunikimit të kreut të SPAK iu kushtua vendimit të Kuvendit për imunitetin e ish-zëvendëskryeministres. Braho shpjegoi se Prokuroria e Posaçme kishte detyrimin të zbatonte vendimmarrjen e Parlamentit, por kjo nuk e pengoi institucionin të vijonte hetimet dhe të zgjeronte akuzat ndaj Ballukut.
Sipas tij, gjatë hetimeve janë shtuar edhe tri akuza të reja, çka, në vlerësimin e tij, tregon se SPAK ka vijuar punën në mënyrë të pavarur, me synimin për të zbardhur çështjen dhe administruar provat.
“Pavarësisht se vendimi i Kuvendit ishte i padrejtë, SPAK thelloi hetimet dhe shtoi 3 akuza të reja ndaj Ballukut. Kjo dëshmon pavarësinë e këtij institucioni. Detyra është të zbardhë çështjen dhe të gjejë prova”, është shprehur Braho.
Megjithatë, pyetja nëse SPAK mund t’i drejtohet sërish Kuvendit për marrjen e autorizimit për arrestimin e Ballukut mbetet një prej çështjeve që shoqëron zhvillimet e fundit të dosjes.
Për këtë mundësi, Braho iu referua tri akteve procedurale dhe argumentimit të paraqitur në raportin e shumicës parlamentare, sipas të cilit zgjerimi i hetimit penal nuk përbën automatikisht një fakt apo rrethanë të re që mund të justifikojë caktimin e masës së arrestit.
Kreu i SPAK theksoi se zgjerimi i hetimeve dhe shtimi i akuzave nuk mund të konsiderohen, në vetvete, rrethana të reja në kuptimin e kërkuar për një autorizim të ri arrestimi. Pra, fakti që hetimi ka marrë përmasa të tjera nuk do të thotë automatikisht se ekzistojnë kushtet për një kërkesë të re ndaj Kuvendit.
Deklaratat e Brahos vijnë në një moment kur dosja ndaj ish-zëvendëskryeministres ka kaluar në fazën e gjykimit, ndërsa SPAK ka përfunduar hetimin për dhjetë procedura tenderimi, ku sipas Prokurorisë së Posaçme dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit kap vlerën e mbi 5 miliardë lekëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



