Lamtumira e Ermal Lulajt, Skënder Hita: Fëmijët e tij nuk do të jenë kurrë vetëm
Trupi i pajetë i Ermal Lulajt, shefit të Seksionit të Krimeve në Vlorë, mbërriti në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku kolegë dhe drejtues të uniformave blu u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit efektivit që humbi jetën në një aksident tragjik.
Lulaj ndërroi jetë mbrëmjen e së hënës, pas një përplasjeje fatale në autostradën Fier-Vlorë. Automjeti tip “Toyota”, me të cilin ai po udhëtonte, u përplas me një mjet të rëndë pune, tip skrep, që ishte në lëvizje. Ngjarja ndodhi në afërsi të Novoselës.
Në ceremoninë mortore ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili shprehu dhimbjen për humbjen e kolegut dhe vlerësoi figurën e tij njerëzore e profesionale.
Hita tregoi se e kishte njohur Lulajn që në hapat e parë të karrierës së tij, duke e cilësuar ndarjen e parakohshme nga jeta si një humbje të rëndë për familjen, kolegët dhe të gjithë ata që patën mundësinë ta njihnin.
Ai u ndal veçanërisht te tre fëmijët që efektivi la pas, duke garantuar se ata do të kenë në vijimësi përkrahjen dhe kujdesin e familjes së madhe të Policisë së Shtetit.
“Është një ditë shumë e dhimbshme për ne, për familjen dhe për të gjithë ata që e kanë njohur. E kam njohur që në fillimet e karrierës së tij dhe ndiej një keqardhje të jashtëzakonshme për mënyrën se si u nda nga jeta, kaq papritur dhe në një moshë të re.
U largua një baba i tre fëmijëve, një bir i një familjeje shumë të mirë dhe një koleg i shkëlqyer. Dua të garantoj se fëmijët e tij nuk do të jenë vetëm. Për çdo nevojë dhe kujdes që do të kenë, familja e madhe e Policisë së Shtetit do të jetë pranë tyre”, u shpreh Skënder Hita.
Humbja e Ermal Lulajt ka lënë pas dhimbje të madhe te familjarët dhe kolegët e tij, ndërsa mesazhi i drejtuesit të Policisë së Shtetit ishte se mbështetja institucionale për familjen, veçanërisht për tre fëmijët e efektivit, do të vijojë edhe pas ceremonisë së lamtumirës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



