Caktohet gjyqtarja që do të gjykojë Belinda Ballukun
Është përcaktuar gjyqtarja që do të shqyrtojë në fazën paraprake dosjen penale ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Shorti i hedhur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar gjyqtaren Atalanta Zeqiraj për këtë çështje.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetarja Anila Hoxha. Vendimi për caktimin e gjyqtares vjen dy ditë pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e dosjes për gjykim, duke formalizuar akuzat ndaj Ballukut dhe dhjetëra personave të tjerë, përfshirë ish-zyrtarë të institucioneve publike dhe përfaqësues të sektorit privat.
Bëhet fjalë për një dosje të gjerë penale, ku në qendër të hetimit janë vendosur 10 procedura prokurimi, kryesisht për vepra të rëndësishme infrastrukturore në Tiranë, Durrës dhe jug të vendit, si dhe dy pasuri të paluajtshme luksoze në bregdetin shqiptar.
28 të pandehur në dosje, Balluku përballet me disa akuza
Sipas njoftimit të SPAK, në dosjen e dërguar për gjykim janë përfshirë 28 të pandehur, mes tyre ish-drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ish-drejtues dhe punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), si dhe persona fizikë e juridikë të lidhur me kompanitë që kanë marrë pjesë në procedurat e tenderimit.
Për Belinda Ballukun janë ngritur akuza për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim dhe në nëntë raste, korrupsion pasiv, fshehje ose mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Hetimi përfshin edhe periudhën kur Balluku drejtonte Albcontrol-in, përpara se të merrte drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në mesin e personave të tjerë të përfshirë janë Viola Haxhiademi, Evis Berberi, Ergys Verdho, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Genti Raça, Miranda Shkurti, si dhe një numër punonjësish të tjerë të institucioneve përgjegjëse për përgatitjen, zhvillimin dhe vlerësimin e tenderave.
Ndërkohë, në dosje figurojnë edhe emra si Igli Tare, Arbër Abazi, Pandeli Carapuli dhe Joana Bushi, ndaj të cilëve janë ngritur akuza që lidhen kryesisht me pastrimin e produkteve të veprës penale, korrupsionin apo falsifikimin e dokumenteve, sipas rolit që SPAK u atribuon në hetim.
Në cilësinë e personave juridikë janë përfshirë gjithashtu shoqëritë “Alko Impex General Construction” dhe “Eurocol”.
10 tenderat nën hetim, nga Tuneli i Llogarasë te Unaza e Tiranës
Një pjesë e rëndësishme e dosjes lidhet me dyshimet për manipulim të procedurave të prokurimit publik dhe favorizim të operatorëve ekonomikë të caktuar.
Në listën e SPAK janë përfshirë 10 procedura me vlera të konsiderueshme financiare:
-
Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë.
-
Plotësimi dhe vazhdimi i punimeve në aksin Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT.
-
Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Loti 2.
-
Ndërtimi i segmentit Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri–Shkozë, përfshirë urat mbi lumin e Tiranës.
-
Ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 4.
-
Ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 5.
-
Ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 6.
-
Ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 7.
-
Ndërtimi i rrugës Porto Romano–Durrës, Loti 3.
-
Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol.
Sipas organit të akuzës, në disa prej këtyre procedurave janë evidentuar ndërhyrje në përcaktimin e kritereve të tenderimit, shkurtim i afateve për paraqitjen e ofertave dhe vendosje kushtesh që, sipas hetimit, kanë kufizuar konkurrencën dhe kanë krijuar avantazhe për kompani të caktuara.
Tuneli i Llogarasë, SPAK pretendon dëm ekonomik mbi 7.4 miliardë lekë
Një nga episodet kryesore të dosjes është tenderi për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me fond limit rreth 18.97 miliardë lekë pa TVSH.
Sipas SPAK, megjithëse Belinda Balluku kishte deleguar formalisht kompetencat e titullarit të autoritetit kontraktor te Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Viola Haxhiademi, ajo kishte vijuar të ndiqte dhe orientonte procesin në të gjitha fazat, nga përgatitja e dokumentacionit deri te vlerësimi i ofertave dhe lidhja e kontratës.
Prokuroria pretendon se qëllimi ishte paracaktimi i fituesit, bashkimi i kompanive turke “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”.
Sipas hetimeve, Balluku ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Evis Berberin, fillimisht këshilltar i saj dhe më pas drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar, si dhe me përfaqësues të kompanive që përgatitnin dokumentacionin për pjesëmarrjen në tender.
SPAK pretendon se operatorët fitues janë shpallur fitues edhe pse nuk përmbushnin kriteret e përcaktuara në dokumentet standarde të prokurimit.
Por hetimi nuk është ndalur vetëm te mënyra e përzgjedhjes së kompanisë. Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me përllogaritjen e fondit limit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, preventivi është miratuar me çmime të fryra dhe në kundërshtim me manualet teknike të ndërtimit. Nga ekspertimi teknik i kryer gjatë hetimeve paraprake, dëmi ekonomik i pretenduar për këtë fazë arrin në rreth 2 miliardë lekë.
Ndërkohë, gjatë zbatimit të kontratës është miratuar edhe një preventiv i rishikuar, për të cilin SPAK pretendon se përmbante volume dhe çmime të fryra, pa verifikimet dhe analizat e nevojshme teknike.
Për këtë episod, dëmi ekonomik i përllogaritur nga ekspertimi arrin në rreth 5.47 miliardë lekë.
Pra, vetëm në dy elementet që lidhen me preventivin fillestar dhe atë të rishikuar të Tunelit të Llogarasë, dëmi ekonomik i pretenduar nga hetimi kap vlerën e afro 7.5 miliardë lekëve.
Salillari, 4A-M, Albstar dhe kompani të tjera në tenderat e Unazës
Një tjetër grup procedurash të hetuara lidhet me projektet e Unazës së Tiranës dhe ndërhyrjet në akset rrugore përreth kryeqytetit.
Për tenderin e punimeve në segmentin Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, me fond limit rreth 2.37 miliardë lekë pa TVSH, SPAK pretendon se Belinda Balluku, në bashkëpunim me Evis Berberin dhe Miranda Shkurtin, kanë ndikuar në orientimin e procedurës drejt kompanisë “Salillari”.
Sipas hetimit, edhe gjatë përgatitjes së dokumentacionit janë kryer veprime të kundërligjshme për të favorizuar këtë operator. Ndërsa anëtarët e njësisë së prokurimit akuzohen se kanë shkurtuar afatet e ofertimit dhe kanë vendosur kritere të paargumentuara, duke kufizuar konkurrencën.
Të njëjtat dyshime janë ngritur edhe për tenderin e segmentit Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Loti 2, me fond limit rreth 2.48 miliardë lekë. Në këtë rast, sipas SPAK, operatorët që dyshohet se janë favorizuar janë bashkimi i kompanive “4A-M”, “ED Konstruksion” dhe “IDK Konstruksion”.
Për segmentin Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri–Shkozë, me fond limit rreth 2.55 miliardë lekë, hetimi ka evidentuar dyshime për favorizimin e kompanisë “Albstar”.
Ndërkohë, në tenderin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 4, me fond limit rreth 2.09 miliardë lekë, SPAK pretendon se procedura është orientuar në favor të bashkimit të kompanive “Euroteorema Peqin”, “PE-VLA-KU” dhe “Nova Construction 2012”.
Edhe në këtë rast, prokuroria pretendon se janë vendosur kritere të paargumentuara dhe janë shkurtuar afatet e paraqitjes së ofertave, ndërsa komisioni i vlerësimit ka kualifikuar operatorin në kundërshtim me kushtet e tenderit.
G.P.G Company, Gjoka Konstruksion dhe Alko Impex në lotet 5, 6 dhe 7
Hetimet për tenderat e Unazës së Jashtme të Tiranës janë shtrirë edhe në lotet 5, 6 dhe 7, ku në qendër janë vendosur disa kompani të njohura të sektorit të ndërtimit.
Për Lotin 5, me fond limit rreth 1.93 miliardë lekë pa TVSH, SPAK pretendon se është favorizuar bashkimi i kompanive “G.P.G Company” dhe “Senka”.
Sipas prokurorisë, anëtarë të njësisë së prokurimit kanë shkurtuar afatet ligjore dhe kanë vendosur kritere që kufizonin konkurrencën, ndërsa komisioni i vlerësimit e ka shpallur fitues këtë bashkim operatorësh në kundërshtim me dokumentacionin standard të tenderit.
Në Lotin 6, me fond limit rreth 1.81 miliardë lekë, hetimi ka evidentuar dyshime për favorizimin e kompanisë “Gjoka Konstruksion”.
Ndërsa në Lotin 7, me fond limit rreth 2.35 miliardë lekë, në fokus është vendosur bashkimi i kompanive “Alko-Impex General Construction” dhe “2T”.
Sipas SPAK, edhe në këtë procedurë janë kufizuar afatet dhe konkurrenca, ndërsa komisioni i vlerësimit ka shpallur fitues bashkimin e operatorëve në kundërshtim me kriteret e tenderit.
Një tjetër element i rëndësishëm i këtij episodi lidhet me dokumentacionin e paraqitur nga administratori i “Alko-Impex General Construction”, Arbër Abazi, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh në funksion të plotësimit të kritereve të tenderit.
Vila në Green Coast, SPAK pretendon përfitim prej 250 mijë eurosh nga Igli Tare
Përtej procedurave të prokurimit, dosja përmban edhe një pjesë të veçantë që lidhet me pasuritë e paluajtshme që SPAK pretendon se janë përfituar në mënyrë të parregullt.
Sipas hetimit, Belinda Balluku ka pasur në pronësi faktike një vilë familjare në kompleksin turistik “Green Coast”, në Palasë, me sipërfaqe totale 478 metra katrorë.
Prokuroria pretendon se ndërtimi i kësaj prone është financuar fillimisht nga Igli Tare, në vlerën 250 mijë euro, deri në fazën e karabinasë. Më pas, investimi është vijuar nga Arbër Abazi, i cili ka financuar punimet e tjera të vilës dhe pishinës.
Sipas të dhënave të administruara nga SPAK, preventivi i këtyre punimeve varionte nga 288 mijë deri në 410 mijë euro, ndërsa vlera e punimeve të realizuara rezulton 13.87 milionë lekë.
Një nga dyshimet kryesore të prokurorisë është se investimi prej 250 mijë eurosh nuk është deklaruar në deklaratat periodike të pasurisë së Ballukut, pavarësisht detyrimit ligjor që ajo kishte për ta bërë këtë.
SPAK pretendon gjithashtu se dokumentacioni i pronësisë është ndërtuar në mënyrë fiktive në emër të Igli Tares, me qëllim fshehjen e pronësisë faktike të vilës.
Sa i përket investimit të Arbër Abazit, prokuroria pretendon se financimi i punimeve të mëtejshme të vilës dhe pishinës ka qenë përfitim i parregullt në këmbim të favorizimit të kompanisë “Alko Impex General Construction” në tenderin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 7.
Vila në White Rocks, dyshimet për 145 mijë euro në këmbim të favorizimit të Eurocol
Një tjetër pasuri që zë vend të rëndësishëm në dosje është një vilë dykatëshe në resortin turistik “White Rocks”, në Gjilekë të Dhërmiut.
Bëhet fjalë për një vilë të tipit “Begonia”, me numër F6, që përfshin një parcelë prej të paktën 300 metrash katrorë, sipërfaqe ndërtimi 103 metra katrorë dhe verandë 34 metra katrorë.
Sipas SPAK, kjo pasuri ka shërbyer si përfitim i parregullt për Belinda Ballukun, në kohën kur ajo drejtonte Albcontrol-in.
Prokuroria pretendon se vila është siguruar përmes një kontrate fiktive porosie në emër të Igli Tares, me vlerë 145 mijë euro, si shpërblim për favorizimin e kompanisë “Eurocol” në tenderin për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol.
Kjo procedurë prokurimi kishte një fond limit prej rreth 88.6 milionë lekësh pa TVSH.
Sipas hetimeve, Balluku, në cilësinë e drejtueses së Albcontrol-it, dyshohet se ka ndërhyrë në proces që nga përgatitja e projektit dhe përcaktimi i kritereve të tenderit, duke krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë fituese.
SPAK pretendon se favorizimi ka vijuar edhe gjatë zbatimit të kontratës, ku kompanisë i është siguruar një parapagim në masën 50% të vlerës kontraktuale që në momentin e lidhjes së saj.
Për të fshehur pronësinë e kësaj vile, sipas prokurorisë, janë përdorur dokumente fiktive dhe persona të tjerë, përfshirë Igli Taren, Pandeli Carapulin dhe Joana Bushin. Në dosje përmendet edhe një kontratë qiraje e pretenduar si fiktive, e lidhur mes Joana Bushit dhe Igli Tares.
Dy vilat luksoze, pasuri me vlerë 1.83 milionë euro
Në përfundim të hetimeve, SPAK ka bërë me dije se vlera e përgjithshme e dy pasurive të sekuestruara arrin në 1 milion e 830 mijë euro.
-
Vila në Green Coast, Palasë: me vlerë të përllogaritur 1 milion e 110 mijë euro.
-
Vila F6 në White Rocks, Dhërmi: me vlerë aktuale tregu 720 mijë euro.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur se hetimet vijojnë në kuadër të një procedimi të ndarë, me numër 136/1 të vitit 2026, për identifikimin e fakteve të tjera të mundshme penale.
Me caktimin e gjyqtares Atalanta Zeqiraj nis tashmë faza paraprake gjyqësore e dosjes Balluku. Në këtë fazë do të shqyrtohen çështjet procedurale dhe ligjore që lidhen me dërgimin e çështjes për gjykim, përpara se gjykata të vendosë për vijimin e procesit.
Duhet theksuar se pretendimet e paraqitura në dosje përfaqësojnë akuzat dhe konkluzionet e organit të akuzës dhe se përgjegjësia penale e personave të përfshirë përcaktohet përfundimisht vetëm nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




