Rama ironizon opozitën në Kuvend: Nuk ju pranojnë as t’i afroheni protestave
Kryeministri Edi Rama ka përdorur tone ironike ndaj Partisë Demokratike gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke komentuar protestat kundër qeverisë dhe rolin e opozitës në to.
Rama u shpreh se protestat kundër një qeverie janë pjesë normale e funksionimit të demokracisë, por sipas tij, për opozitën situata është ndryshe, pasi nuk arrin të jetë pjesë e tubimeve kundër mazhorancës.
“Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë është gjëja më e natyrshme. Të jesh në pushtet dhe të kërkojnë llogari me protesta është gjëja më e natyrshme, por të jesh në opozitë dhe të mos pranohesh as t’i afrohesh protestës është gjëja më e dhimbshme”, deklaroi kryeministri.
Gjatë ndërhyrjes së tij, kreu i qeverisë iu përgjigj edhe kritikave të deputetes demokrate Jorida Tabaku, e cila e kishte akuzuar se ishte paraqitur në Kuvend vetëm për të votuar buxhetin.
Rama e kundërshtoi këtë qëndrim, duke e cilësuar projektbuxhetin e vitit 2027 si historik, pasi, sipas tij, për herë të parë shpenzimet buxhetore arrijnë në 10 miliardë euro.
Kryeministri argumentoi se buxheti synon të krijojë më shumë mundësi për ekonominë, të ulë kostot për familjet dhe të lehtësojë barrën fiskale për shtresën e mesme. Ai përmendi gjithashtu vijimin e mbështetjes për pensionistët.
Në vijim, Rama iu rikthye kritikave ndaj opozitës, duke iu referuar edhe zgjedhjeve vendore të 9 majit dhe pritshmërive të demokratëve për rezultatin e tyre.
“Shqiptarët mos i bëni për budallenj, se ujë në bisht të lugës ju japin, dhe ujë në bisht të lugës do t’ju japin edhe më 9 maj”, u shpreh Rama, duke ironizuar opozitën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



