Vrasja te Kodra e Diellit, Prokuroria kërkon 35 vite burg për autorin
Prokuroria e Tiranës kërkon 35 vite burg për Vladimir Kolën, i akuzuar për vrasjen me paramendim të Briken Sanajt, ngjarje e ndodhur më 30 tetor 2022, në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë.
Sipas hetimeve, vrasja dyshohet se është kryer për motive hakmarrjeje, për shkak të një konflikti të mëparshëm mes vëllait të viktimës dhe familjarëve të Kolës. Përplasja, e cila datonte disa vite më parë, dyshohet se është bërë shkak për ekzekutimin e Briken Sanajt.
Sipas Prokurorisë, pas krimit, Kola ka ndërmarrë veprime për të shmangur identifikimin dhe kapjen nga autoritetet, duke hyrë e dalë nga Shqipëria përmes Malit të Zi. Ai dyshohet gjithashtu se ka blerë automjetin e përdorur në vrasje pa kryer procedurat përkatëse noteriale.
Përveç tij, organi i akuzës kërkon dënimin edhe për katër persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje. Për dy prej tyre, Gj.K. dhe K.A., kërkohen përkatësisht 3 dhe 2 vite burg për moskallëzim krimi, pasi dyshohet se kishin dijeni për identitetin e personit që kishte blerë automjetin e përdorur në ngjarje, por nuk e kanë kallëzuar atë.
Ndërsa për E.H. kërkohen 5 vite burg, pasi akuzohet se ka ndihmuar autorin pas vrasjes, duke e pritur dhe shoqëruar në Mal të Zi, si dhe duke i siguruar akomodim në hotel.
Për të pandehurin Z.K. kërkohen 2 vite burg, pasi dyshohet se ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet ku Kola kishte drekuar dhe kishte kryer blerjen e automjetit.
Tashmë, pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria ka paraqitur kërkesat për dënimin e pesë të pandehurve, ndërsa vendimi përfundimtar i takon gjykatës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



