Thesi i zi dhe alibia e frigoriferit/ Vrasja e Eglant Koçit, kamerat zbardhin lëvizjet e “Mand Dhelprës”
Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të marrë në pyetje kanë nxjerrë në pah detaje të reja nga hetimet për vrasjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi. Në fokus të hetuesve janë lëvizjet e Armand Shakajt, i njohur si “Mand Dhelpra”, në ditët pas zhdukjes së viktimës.
Sipas dosjes hetimore, më 5 qershor 2026, një ditë pasi Koçi ishte raportuar i zhdukur, Shakaj është filmuar duke dalë nga lokali i tij me një thes të zi. Ai e tërhiqte zvarrë atë përpara se ta vendoste në automjetin e tij. Pas tij është parë të dalë edhe kamarieri Enea Zyferi.
Ky i fundit, gjatë dëshmisë së dhënë para oficerëve të policisë, ka pretenduar se Shakaj i kishte kërkuar ndihmë për të ulur automatin e lokalit, pasi kishte ndërmend të ngarkonte një frigorifer. Sipas versionit të tij, më pas të dy kishin shkuar në një lavazh për të larë makinën.
Megjithatë, ky shpjegim nuk i ka bindur hetuesit. Pamjet filmike dhe të dhënat e tjera të mbledhura kanë ngritur dyshime se thesi i zi mund të jetë përdorur për të transportuar trupin e pajetë të Eglant Koçit.
Për këtë arsye, Zyferi u ndalua nën dyshimin për përkrahje të autorit të krimit, pasi policia dyshonte se ai kishte ndihmuar Shakajn në largimin e kufomës nga lokali. Fillimisht, gjykata caktoi ndaj tij masën e arrestit me burg, por pas gjashtë muajsh kjo masë u zëvendësua me arrest në shtëpi, për shkak të rrethanave familjare të paraqitura prej tij.
Një tjetër element që tërhoqi vëmendjen e grupit hetimor ishin takimet e shpeshta mes Shakajt dhe Zyferit gjatë ditëve kur 34-vjeçari rezultonte i zhdukur. Në atë fazë, megjithatë, hetuesve u mungonte prova vendimtare për zbardhjen e plotë të ngjarjes: trupi i viktimës.
Pas dy javësh kërkimesh, më 18 qershor 2026, trupi i pajetë i Eglant Koçit u gjet në një humnerë në fshatin Cerrunjë, në zonën malore mes Tiranës dhe Elbasanit. Zbulimi erdhi pasi prania e një numri të madh sorrash kishte alarmuar banorët e zonës, duke ngritur dyshimet se aty mund të ndodhej trupi i një personi.
Në njoftimin zyrtar të policisë bëhej me dije se në territorin e fshatit Cerrunjë, në lagjen Domush, ishte gjetur një trup njeriu i seksit mashkull, në proces dekompozimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



