Del urdhri i Sedleva Bodos për transferimin e Veliajt në burgun e Fierit
Urdhri që autorizoi transferimin e Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit është bërë publik.
Dokumenti mban numrin 2103, datën 28 tetor 2026 dhe firmën e drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo.
Urdhri, i cili deri më tani nuk ishte bërë publik, është klasifikuar me nivelin e sigurisë “I kufizuar”, me një afat klasifikimi prej dy vitesh. Një kopje e tij i është përcjellë edhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për dijeni.
Në dokument thuhet se transferimi i kryebashkiakut të Tiranës është kryer për arsye sigurie, duke iu referuar një informacioni të Drejtorisë së Policisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, me numër 20796, të datës 28 tetor 2026.
Vendimi për zhvendosjen e Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit shkaktoi debate të shumta, ndërsa vetë kryebashkiaku e ka kundërshtuar procedurën e ndjekur.
Për këtë arsye, ai ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, duke e akuzuar për shpërdorim detyre. Kallëzimi është paraqitur nga avokati i tij, Plarent Ndreca, dhe lidhet pikërisht me ligjshmërinë e transferimit.
Urdhri i firmosur nga Bodo mbështetet në nenin 78 të ligjit nr. 81/2020, në vendimin e Këshillit të Ministrave për Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve, si dhe në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë për klasifikimin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




