E diel, 22 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Xhensila Myrtezaj përfundon në gjyq për evazion fiskal
Lajme

Xhensila Myrtezaj përfundon në gjyq për evazion fiskal

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim këngëtaren Xhensila Myrtezaj, e njohur më parë edhe me mbiemrin Kallaku, nën akuzën e fshehjes së të ardhurave më shumë se një herë.

Sipas organit të akuzës, gjatë viteve 2023 dhe 2024, këngëtarja dyshohet se ka shmangur detyrimet tatimore përmes deklarimit të paplotë të të ardhurave, transaksioneve financiare me burime të pajustifikuara dhe depozitimeve të konsiderueshme në para cash.

Nga ekspertimi kontabël i administruar gjatë hetimit rezulton se për vitin 2023 janë shmangur 2.417.311 lekë detyrime tatimore, ndërsa për vitin 2024 shuma e llogaritur arrin në 3.658.210 lekë.

Në total, detyrimet tatimore të dyshuara si të shmangura për të dy vitet kapin vlerën prej 6.075.521 lekësh të reja.

Pretendoi se paratë vinin nga koncertet

Gjatë hetimeve, Myrtezaj ka pretenduar se të ardhurat e depozituara vinin nga aktiviteti i saj artistik dhe koncertet e zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Për të justifikuar depozitimet në para cash, ajo ka paraqitur një deklaratë ku shpjegonte burimin e të ardhurave. Megjithatë, sipas Prokurorisë, dokumentacioni i dorëzuar nuk i justifikonte plotësisht shumat e konstatuara nga hetuesit.

Në materialin hetimor përmenden gjithashtu transaksione me pasuri të paluajtshme, depozitime të konsiderueshme cash që nuk përputheshin me të ardhurat e deklaruara, si dhe tërheqje parash për të cilat nuk ishte dhënë informacion mbi mënyrën e përdorimit.

Akuzë për fshehje të të ardhurave në dy raste

Prokuroria vlerëson se shmangia e detyrimeve tatimore është kryer në dy vite të ndryshme kalendarike dhe se secili rast përbën një veprim të pavarur nga tjetri.

Për këtë arsye, ndaj këngëtares është ngritur akuza për veprën penale “Fshehje e të ardhurave”, të kryer më shumë se një herë, sipas nenit 180/1 të Kodit Penal.

Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 5824/2024, ndërsa tashmë dosja është dërguar për shqyrtim në gjykatë.

Në kohën kur nisi hetimi, këngëtarja mbante mbiemrin Kallaku, ndërsa pas ndarjes nga këngëtari Bes Kallaku, ajo njihet me mbiemrin Myrtezaj.

Vendimi përfundimtar mbi përgjegjësinë penale të saj i takon gjykatës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.