Zv.Drejtori i Policisë Fier: “Sel Çami” po punonte në banesë kur u qëllua!
I plagosuri është nipi i tij
Nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alket Ahmetaj, ka dhënë detaje të reja lidhur me ekzekutimin e Selami Hasanit, i njohur si “Sel Çami”, ngjarje e ndodhur paraditen e kësaj të hëne në lagjen “1 Maji” të Fierit.
Sipas deklarimit të zyrtarit të policisë, në momentin e sulmit, Hasani ndodhej në pjesën e jashtme të oborrit të banesës së tij dhe po punonte në murin rrethues, kur u qëllua me armë zjarri. Nga të shtënat, ai humbi jetën, ndërsa një tjetër person mbeti i plagosur.
Policia ka sqaruar edhe një detaj të raportuar fillimisht gabim: personi i plagosur nuk është vëllai i viktimës, por nipi i tij, Jakupi. Ai ndodhet në Spitalin Rajonal të Fierit, ku po merr ndihmë mjekësore.
Sipas Alket Ahmetajt, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier mbërriti një telefonatë për të shtëna rreth orës 09:50. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje u nisën forcat “Shqiponja” dhe patrullat e përgjithshme, të cilat konstatuan se një person kishte ndërruar jetë dhe një tjetër ishte plagosur.
Ndërkohë, policia ka ngritur pika kontrolli në akset rrugore ku dyshohet se mund të lëvizin autorët ose automjetet e përdorura në krim. Vijojnë gjithashtu veprimet hetimore për identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Një tjetër element që po verifikohet nga grupi hetimor është një automjet i djegur, i gjetur pranë rrethrrotullimit të Pojanit, në drejtim të Parkut Arkeologjik të Apolonisë. Nëndrejtori i Policisë së Fierit nuk konfirmoi nëse makina ka lidhje me atentatin, duke theksuar se po kontrollohen të gjitha informacionet për automjetet dhe personat e dyshuar.
Sa u përket pamjeve të kamerave të sigurisë dhe pretendimeve se autorët kanë qenë të maskuar e kanë kaluar murin rrethues të banesës, Ahmetaj bëri të ditur se policia po kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe po administron regjistrimet filmike. Ai nuk dha detaje të tjera, duke theksuar se hetimet janë ende në fazën e veprimeve të para.
Vrasja e Selami Hasanit rikthen në vëmendje edhe pistën e një konflikti të hershëm, për të cilin është raportuar në lidhje me të kaluarën e viktimës. Megjithatë, deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur zyrtarisht një motiv përfundimtar dhe as nuk kanë konfirmuar lidhjen e ngjarjes me ndonjë konflikt të mëparshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



