E hënë, 23 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Ndreca denoncon pengesën në burgun e Fierit: Nuk më lejojnë të takoj Veliajn
Lajme

Ndreca denoncon pengesën në burgun e Fierit: Nuk më lejojnë të takoj Veliajn

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka denoncuar një incident në burgun e Fierit, ku pretendon se nuk është lejuar të takohet me klientin e tij, pavarësisht se kishte pritur për rreth një orë e gjysmë në ambientet e institucionit.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Studio Live”, Ndreca tha se nga autoritetet i ishte komunikuar se takimi nuk mund të zhvillohej për shkak të mungesës së forcave të policisë dhe personelit të nevojshëm për shoqërimin e të paraburgosurve.

Avokati e kundërshtoi këtë argument, duke pretenduar se nuk ekziston një bazë ligjore që justifikon pengimin e takimit mes avokatit dhe klientit. Ai theksoi se konsultimi ishte i domosdoshëm, pasi ditën e nesërme Veliaj ka një seancë gjyqësore.

Sipas Ndrecës, pamundësia për të komunikuar me klientin rrezikon të ndikojë edhe në përgatitjen e mbrojtjes, veçanërisht në lidhje me çështjen që pritet të shqyrtohet nga gjykata, përfshirë edhe vendimmarrjen e mundshme mbi zgjedhjen e spitalit ku do të trajtohet Veliaj.

Ai e cilësoi ngjarjen si një problem institucional dhe akuzoi Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për kufizim të së drejtës së mbrojtjes. Ndreca tha gjithashtu se kishte kërkuar që refuzimi i takimit të dokumentohej me procesverbal, por sipas tij, kjo kërkesë nuk ishte pranuar.

Në deklaratën e tij, avokati e lidhi situatën edhe me standardet e funksionimit të institucioneve dhe me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se praktika e ndjekur në burgun e Fierit bie ndesh me standardet europiane.

Deklarata e plotë e Plarent Ndrecës:

“Në fakt u bë një orë e gjysmë që jam këtu duke pritur për të takuar klientin. Nuk po lejohem dhe vazhdon akoma e njëjta histori që ‘nuk kemi forca policore dhe njerëz për të shoqëruar’. Ndërkohë që ligji parashikon se hyrja e avokatit ndodh në çdo kohë.

Vazhdon paligjshmëria e veprimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kufizimi i takimeve edhe me avokatin. Unë nesër kam një seancë gjyqësore dhe duhet të takohesha patjetër me klientin. Një orë e gjysmë në pritje dhe nuk lejohem. Asnjë bazë ligjore, asnjë përgjigje zyrtare. Kërkoj të mbajnë procesverbal për këtë fakt. As procesverbal nuk japin.

Një situatë skandaloze dhe një situatë që nuk e meriton shteti shqiptar që të shkojë në këto nivele që s’kanë asnjë përputhje e asnjë lidhje me standardet europiane. Kjo është një situatë e paprecedentë. Një cenim i rëndë i standardeve të mbrojtjes dhe i të drejtës së klientit tim, si dhe i çdo të paraburgosuri apo personi nën hetim ose në cilësinë e të pandehurit, për t’u takuar në çdo kohë me avokatin e tij.

Unë nuk kam asnjë mundësi të konsultohem dhe të flas me klientin për seancën e nesërme, duke dëmtuar edhe strategjinë që kemi për nesër, apo komunikimin për një vendim të mundshëm që Gjykata mund të japë lidhur me zgjedhjen e spitalit nga Veliaj.

Këtë situatë e konsideroj institucionale. Një sjellje të rëndë dhe të paligjshme institucionale, nga një institucion në varësi të qeverisë dhe kryeministrit, i cili ka bërë deklaratat që ka bërë në Asamblenë Kombëtare dhe të Tiranës. Ja ku është prova që standardet nuk janë ato që thotë Rama. Avokati në vitin 2026 nuk lejohet të hyjë e të takojë klientin e tij.

Unë po pres edhe pak, jam i detyruar të kthehem në Tiranë. Është konsumuar ky udhëtim dhe nuk kam arritur të bëj takimin për të cilin erdha. Përgjigje ka me telefon, por nuk bëjnë një procesverbal.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.