“Mamicën” e zbythi, po pse “Skënderbeu” nuk guxon ta përjashtoje “Hamza” Veliajn?
Në betejën e brendshme të Partisë Socialiste, Edi Rama duket se ka zgjedhur të bëjë diferencën mes kundërshtarëve të tij. “Mamicën” e zbythi nga strukturat drejtuese dhe më pas nga grupi parlamentar, por përballë “Hamza” Veliajt, “Skënderbeu” i PS-së ende nuk ka ndërmarrë të njëjtin hap.
Elisa Spiropali u bë objekt i një vendimmarrjeje të shpejtë politike, pasi qëndrimet e saj publike kundër mënyrës së qeverisjes dhe pozicionimi në çështjen e Belinda Ballukut u interpretuan si dalje nga linja e partisë. Fillimisht humbi postet në forumet drejtuese dhe më pas u përjashtua edhe nga grupi parlamentar.
Por nëse për “Mamicën” u gjetën mekanizmat për ta nxjerrë jashtë, përse “Hamza” Veliaj vazhdon të qëndrojë brenda oborrit socialist?
Kryebashkiaku i Tiranës nuk është kufizuar në kritika të tërthorta ndaj kryeministrit. Përplasja mes tyre është shtrirë në disa fronte, duke nisur nga kundërshtimi i shkarkimit të Veliajt nga detyra, çështja e dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe deri te akuzat e drejtpërdrejta ndaj Ramës.
Veliaj e ka akuzuar kryeministrin për shantazh dhe kërcënime me jetë, ndërsa ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar mocion mosbesimi ndaj tij në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste.
Paralelisht, ai ka ndërmarrë ndryshime në administratën e Bashkisë së Tiranës, duke larguar disa drejtorë që konsiderohen të afërt me Ramën. Lëvizje këto që kanë shkaktuar reagime edhe nga vetë kryeministri.
Megjithatë, pavarësisht kësaj përplasjeje, Veliaj nuk është përjashtuar nga forumet drejtuese të PS-së dhe as nga vetë partia. Ndryshe nga Spiropali, ndaj së cilës u veprua me shpejtësi, në rastin e kryebashkiakut Rama duket se po zgjedh një qasje më të kujdesshme.
Pse “Skënderbeu” po e kursen “Hamzanë”?
Një sinjal për këtë raport të ndërlikuar u dha edhe në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS-së në Tiranë, ku Rama u shpreh se shpresonte që Veliaj ta kuptonte se ishte në gabim me të dhe me Partinë Socialiste.
Një formulim dukshëm më i butë sesa masat e marra ndaj Spiropalit. Në vend të përjashtimit, kryeministri la të hapur mundësinë e një reflektimi dhe zgjidhjeje politike.
Një nga shpjegimet e mundshme për këtë diferencë në trajtim lidhet me peshën që Veliaj mund të ketë ende në strukturat dhe rrjetin elektoral të PS-së në Tiranë.
Në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore, mbështetja e tij mund të konsiderohet një faktor i rëndësishëm në llogaritë e socialistëve për kryeqytetin. Brenda partisë ka zëra që vlerësojnë se kandidati i ardhshëm i PS-së do të duhet të marrë parasysh edhe ndikimin e rrjetit politik dhe elektoral të Veliajt.
Kjo mund të shpjegojë edhe përmbajtjen e Ramës për të mos e çuar konfliktin deri në një përjashtim formal. Një përplasje e tillë mund të hapte një tjetër front brenda partisë, pikërisht në një zonë ku socialistët kanë interesa të rëndësishme elektorale.
Kështu, në historinë politike të PS-së, “Mamicës” iu tregua dera, ndërsa “Hamzai” vazhdon të jetë në oborr. Mbetet për t’u parë nëse kjo është një strategji e përkohshme e “Skënderbeut” apo një kapitull tjetër i luftës për pushtet brenda Partisë Socialiste.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



