Veliaj nuk dorëzohet, zbardh vendimin e ri për kopshtet dhe çerdhet për vitin 2027
Familjet në Tiranë pritet të përfitojnë nga një ndryshim në shërbimin e çerdheve dhe kopshteve publike. Erion Veliaj ka njoftuar se duke nisur nga viti 2027, këto institucione do të ofrojnë shërbim pa pagesë për fëmijët.
Njoftimi është bërë krahas prezantimit të ndryshimit në drejtimin e Drejtorisë së Çerdheve dhe Kopshteve në Bashkinë e Tiranës. Arjola Byzyka do të marrë drejtimin e këtij institucioni, duke zëvendësuar Zhaneta Beqirin, e cila e ka mbajtur këtë detyrë gjatë viteve të fundit.
Përmes një reagimi publik, Veliaj shprehu mirënjohjen për Beqirin, me të cilën tha se kishte bashkëpunuar për 13 vite, duke vlerësuar kontributin e saj në drejtimin e strukturës.
Ndërkohë, për pasuesen e saj, Arjola Byzyka, ai u shpreh se është një profesioniste e përkushtuar, e angazhuar në punën e saj dhe në aktivitetet komunitare.
Pjesa më e rëndësishme e njoftimit lidhet me vendimin për heqjen e pagesave në çerdhe dhe kopshte nga viti 2027. Sipas Veliajt, kjo masë synon të lehtësojë shpenzimet e prindërve dhe të zgjerojë mundësitë për fëmijët.
Megjithatë, në njoftimin e bërë publik nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi mënyrën e zbatimit të vendimit, kategoritë që do të përfitojnë apo nëse masa do të përfshijë të gjitha çerdhet dhe kopshtet publike në kryeqytet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



