E enjte, 26 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Kapen 66 kg drogë drejt Greqisë, policia greke arreston 3 të rinj nga Saranda
Lajme

Kapen 66 kg drogë drejt Greqisë, policia greke arreston 3 të rinj nga Saranda

Policia greke ka goditur një tjetër rast të trafikut të drogës në aksin Sarandë–Igumenicë, duke sekuestruar mbi 66 kilogramë marijuanë dhe arrestuar tre shtetas shqiptarë, të gjithë të rinj nga zona e Sarandës.

Operacioni u zhvillua nga oficerët e Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Igumenicë, në bashkëpunim me efektivët e Departamentit të Dytë të Rojës Kufitare në Filat.

Gjatë kontrolleve, uniformat blu ndaluan fillimisht një automjet që drejtohej nga një shtetas shqiptar. Në brendësi të tij u zbuluan 60 pako me lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë, me peshë totale 66 kilogramë e 742 gramë.

Hetimet çuan më pas në ndalimin e një automjeti të dytë, në të cilin udhëtonin dy shqiptarë të tjerë. Sipas autoriteteve greke, këta të fundit kishin rolin e pararendësve të mjetit që transportonte drogën, duke lëvizur përpara tij dhe duke sinjalizuar për praninë e mundshme të kontrolleve policore në rrugë.

Në kuadër të operacionit, policia sekuestroi të dy automjetet, 1.130 euro dhe katër telefona celularë, të cilët do t’i nënshtrohen veprimeve të mëtejshme hetimore. Në operacion u angazhuan edhe qentë e specializuar të policisë greke, IKARUS dhe JERRY, të cilët ndihmuan në zbulimin e lëndës narkotike.

Tre të arrestuarit, së bashku me materialet procedurale të përgatitura ndaj tyre, u dërguan në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Thesprotisë, ku do të vijojnë procedurat ligjore.

Saranda, një nga linjat kryesore të trafikut drejt Igumenicës

Ky operacion vjen në një kohë kur autoritetet greke kanë intensifikuar kontrollet kundër trafikut të lëndëve narkotike në zonat pranë kufirit me Shqipërinë.

Sipas të dhënave të raportuara, gjatë 15 muajve të fundit janë sekuestruar rreth 1.5 ton marijuanë në Igumenicë, Janinë, Kostur, Follorinë dhe Selanik. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhet me itinerarin Sarandë–Igumenicë, i cili konsiderohet një nga korridoret e përdorura për transportimin e drogës drejt territorit grek.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.