E enjte, 26 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Shtatë vite pas tërmetit, Durrësi ende mes gërmadhave
Lajme

Shtatë vite pas tërmetit, Durrësi ende mes gërmadhave

PD akuzon Sakon për abuzime me 28 milionë euro dhe ndërprerjen e bonuseve të qirasë

Partia Demokratike ka ngritur akuza të forta ndaj administrimit të procesit të rindërtimit në Durrës, duke pretenduar se shtatë vite pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, një pjesë e familjeve të prekura vijojnë të mos kenë një banesë, ndërsa bonuset e qirasë u janë ndërprerë prej vitit 2023.

Përmes një deklarate publike, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Viola Kapidani, e cilësoi procesin e rindërtimit nën drejtimin e kryebashkiakes Emiriana Sako si një aferë, duke kërkuar ndërhyrjen e SPAK dhe hetimin e procedurave të prokurimit të zhvilluara nga Bashkia e Durrësit.

Në qendër të denoncimit të demokratëve është edhe raporti i fundit i auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i publikuar pak ditë më parë. Sipas PD-së, dokumenti evidenton shkelje të rënda në tenderat e administratës së Sakos, me një vlerë që llogaritet nga 20 deri në 28 milionë euro.

Partia Demokratike rendit tre problematika kryesore të konstatuara, sipas saj, nga auditimi: shpalljen fituese të kompanive që nuk përmbushnin kriteret ligjore, kryerjen e pagesave nga fondet publike për punime që nuk ishin realizuar dhe zhvillimin e procedurave pa konkurrencë reale. Në rastet e fundit, oferta fituese pretendohet se ka arritur në 99.7% të fondit limit.

Shtatë pallate ende të braktisura në Lagjen nr. 5

Një tjetër çështje e ngritur nga PD lidhet me situatën e banorëve të Lagjes nr. 5 në Durrës, ku në maj të vitit 2023 Emiriana Sako u kishte premtuar banorëve të Njësisë Administrative nr. 3 se nëntë pallatet e dëmtuara rëndë, të klasifikuara me nivel DS5, do të rindërtoheshin në të njëjtin vend.

Megjithatë, sipas të dhënave të paraqitura nga demokratët, nga nëntë pallatet e dëmtuara, vetëm një është rindërtuar, ndërsa për një tjetër punimet kanë nisur gjatë këtij viti. Shtatë godinat e mbetura vijojnë të jenë të pashfrytëzueshme, duke qëndruar prej vitesh në gjendje të braktisur, të mbushura me ujë dhe mbeturina.

PD pretendon se kjo situatë përbën rrezik për jetën dhe shëndetin e banorëve që jetojnë pranë tyre. Ndërkohë, familjeve të prekura u është ndërprerë bonusi i qirasë që prej vitit 2023, duke i lënë pa mbështetjen financiare për strehimin.

Problemet me rindërtimin nuk kufizohen vetëm te pallatet e banimit. Edhe rikonstruksioni i gjimnazit “Gjergj Kastrioti”, i cilësuar si shkolla e mesme më e vjetër në Durrës, nuk ka nisur ende. Për pasojë, nxënësit vazhdojnë të zhvillojnë mësimin me turne në ambientet e shkollës “Marie Kaçulini”.

Bashkia e Durrësit realizoi vetëm 1% të fondeve të rindërtimit

Një tjetër shifër që PD e konsideron tregues të dështimit të procesit lidhet me realizimin e investimeve. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, të cituara në deklaratë, Bashkia e Durrësit ka realizuar vetëm 1% të fondeve të programuara për rindërtimin.

Demokratët pretendojnë se miliona euro të akorduara për këtë proces vijojnë të qëndrojnë të papërdorura në llogaritë e bashkisë dhe transferohen nga një vit buxhetor në tjetrin, ndërsa qytetarët presin zgjidhjen e problemeve të strehimit.

Sipas PD-së, vonesat janë të dukshme edhe në zonat e Spitallës dhe Manzës, ku mijëra qytetarë vijojnë të presin përfundimin e procedurave dhe listave të shorteve për përfitimin nga procesi i rindërtimit.

Partia Demokratike kujton se prej vitesh ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar mënyrën se si është administruar rindërtimi, duke e konsideruar këtë një të drejtë kushtetuese. Sipas saj, kërkesa për hetim është paraqitur edhe në Këshillin Bashkiak të Durrësit.

PD kërkon hetim të Sakos dhe rikthimin e bonusit të qirasë

Duke iu referuar raportit të KLSH-së dhe situatës së familjeve të prekura nga tërmeti, demokratët i kanë drejtuar katër kërkesa publike institucioneve përgjegjëse.

Së pari, kërkojnë që SPAK të nisë menjëherë hetimet ndaj kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, lidhur me administrimin e procesit të rindërtimit dhe gjetjet e raportit të fundit të KLSH-së për tenderat dhe pagesat për punime të pakryera.

Së dyti, PD kërkon likuidimin e menjëhershëm të bonusit të qirasë për të gjitha familjet që nuk e kanë përfituar këtë mbështetje financiare.

Kërkesa e tretë i drejtohet qeverisë, së cilës demokratët i kërkojnë rialokimin e fondeve të nevojshme për përfundimin e plotë të procesit të rindërtimit në Durrës.

Ndërsa si kërkesë të katërt, PD kërkon publikimin e një grafiku të saktë dhe detyrues për përfundimin e shtatë pallateve të mbetura në gjendje të rrënuar në Lagjen nr. 5, si dhe të të gjitha objekteve të tjera ku punimet janë zvarritur.

“Tragjedia u kthye në mundësi biznesi për klientët e pushtetit”

Në deklaratën e saj, Viola Kapidani akuzoi Bashkinë e Durrësit dhe qeverinë se e kanë trajtuar tragjedinë e 26 nëntorit jo si një emergjencë për strehimin e qytetarëve, por si një mundësi përfitimi për kompani të lidhura me pushtetin.

Ajo rikujtoi se tërmeti i 26 nëntorit 2019 i mori jetën 25 personave në Durrës dhe la mijëra familje pa strehë, ndërsa shtatë vite më vonë, sipas saj, qyteti përballet me një tjetër problematikë të rëndë: keqmenaxhimin dhe abuzimin e pretenduar me fondet e rindërtimit.

“Dhimbja e 26 nëntorit nuk mbulohet me propagandë! Qytetarët e Durrësit meritojnë drejtësi dhe llogaridhënie!”, thuhet në përfundim të deklaratës së Partisë Demokratike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.