Kushtetuesja ‘shuplakë’ Ramës, pezullon gjobat për bllokimin e rrugëve
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar pjesërisht zbatimin e aktit normativ të Këshillit të Ministrave për ndryshimet në ligjin “Për tubimet”. Vendimi prek konkretisht dispozitën që parashikon sanksione administrative për bllokimin e rrugëve gjatë protestave.
Vendimi u mor më 26 nëntor 2026 nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga disa organizata të shoqërisë civile dhe grupime studentore.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses ishin bashkuar Qendra “Res Publica”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri, si dhe grupimet “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”.
Me shumicë votash, gjyqtarët vendosën pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, në ligjin “Për tubimet”.
Kjo dispozitë lidhet me masat administrative ndaj personave që bllokojnë rrugët gjatë protestave. Vendimi i Kushtetueses përbën një zhvillim të rëndësishëm në debatin për kufijtë e së drejtës së tubimit dhe masat ndëshkuese të parashikuara nga qeveria.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



