“Grupi im kriminal më kishte emëruar Kryeministër”, ironia therëse e Saimir Tahirit
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është rikthyer në vëmendjen publike me një reagim ironik në rrjetet sociale, ku ka risjellë në kujtesë përgjimet dhe akuzat që shoqëruan përballjen e tij me drejtësinë.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka zgjedhur të ironizojë pretendimet e bëra ndaj tij ndër vite, duke iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë bisedave të përgjuara, në të cilat emri i tij ishte përmendur.
“Sa mirë mund ta njohësh partnerin…në krim? Mua për shembull, grupi im kriminal më kishte emëruar Kryeministër, promovim që e mora vesh vetëm nga përgjimet… Work in progress…”, shkruan ish-ministri.
Me këtë mesazh, Tahiri rikthen në vëmendje një prej episodeve që shoqëruan çështjen e tij, duke përdorur sarkazmën për të komentuar mënyrën se si u interpretuan përgjimet dhe lidhjet e pretenduara me persona të përfshirë në hetime.
Postimi merr një tjetër rëndësi edhe për faktin se ish-ministri ka paralajmëruar rikthimin në publik përmes një dokumentari, ku pritet të tregojë versionin e tij për ngjarjet që shoqëruan karrierën politike, akuzat dhe përballjen disa vjeçare me organet e drejtësisë.
Ndërkohë, më 10 dhjetor, Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë rekurset e paraqitura nga Tahiri dhe Prokuroria e Posaçme. Ish-ministri kërkon pafajësinë, ndërsa SPAK ka kërkuar dënimin e tij me 12 vite burg për akuzat që lidhen me trafikun e narkotikëve dhe grupin e strukturuar kriminal.
Rikthimi i Tahirit në komunikimin publik vjen në një periudhë të trazuar për politikën shqiptare. Në sfond janë edhe zhvillimet që lidhen me ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ka bërë deklarata dhe dëshmi që kanë rikthyer në qendër të debatit çështje të shumta që prekin qeverisjen, si dhe protestat kundër kryeministrit Edi Rama.
Tahiri ishte një prej ish-ministrave më të rëndësishëm të qeverisë Rama, por përfundoi në qendër të një prej çështjeve më të bujshme të drejtësisë shqiptare. Për shumëkënd, ai u konsiderua si një prej figurave të para të kabinetit që mbajti përgjegjësi politike dhe penale në kuadër të hetimeve që tronditën qeverisjen.
Pas daljes nga burgu në qershor të vitit 2023, ish-ministri kishte mbajtur një profil të ulët publik. Tashmë, përmes postimeve ironike dhe dokumentarit të paralajmëruar, duket se po përgatit një rikthim për të rrëfyer publikisht versionin e tij të historisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



