Vhdukja e Jan Prengës/ SPAK rikthen në lojë “SKY ECC”, prova të reja kundër Dritan Rexhepit
Komunikimet e zbërthyera nga aplikacioni i koduar SKY ECC pritet të marrin një rol të rëndësishëm në procesin gjyqësor për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar administrimin e këtyre materialeve si prova të reja në dosje, kërkesë të cilën Gjykata e Posaçme e ka pranuar.
Vendimi për përfshirjen e komunikimeve të SKY ECC ka sjellë shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj Dritan Rexhepit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë. Seanca e radhës është caktuar më 11 dhjetor 2026, kur procesi pritet të vijojë me administrimin e materialeve të reja.
Në qendër të kësaj dosjeje është Dritan Rexhepi, të cilin SPAK e dyshon si një prej personave që porositën dhe organizuan rrëmbimin e Jan Prengës. Rexhepi u arrestua në Turqi tre vite më parë dhe më pas u përball me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.
Përplasja për kokainën që përfundoi në tragjedi
Sipas versionit të hetimit, ngjarja e rëndë e 17 janarit 2020 në Kamëz lidhet me zhdukjen e një sasie të konsiderueshme kokaine, e cila ishte transportuar nga Ekuadori drejt Britanisë së Madhe. Në këtë çështje dyshohej se ishte përfshirë Astrit Prenga, vëllai i viktimës, i cili akuzohej nga grupi kriminal se kishte marrë drogën.
Për të ushtruar presion ndaj tij dhe për të siguruar kthimin e kokainës, sipas SPAK, u organizua rrëmbimi i Jan Prengës. Ai u mor peng, por më pas u vra, ndërsa trupi i tij u zhduk dhe ende nuk është gjetur.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë evidentuar dyshime për bashkëpunimin e Rexhepit me Gentian Funiqin dhe persona të tjerë të lidhur me grupe kriminale në Shqipëri, përfshirë grupin e Altin Hajrit. Në kohën kur ndodhën ngjarjet, Rexhepi ndodhej në një burg në Ekuador.
Sipas materialeve hetimore, ai kishte komunikuar me familjarët e Jan Prengës, duke u premtuar lirimin e tij në këmbim të kthimit të drogës. Pas vrasjes së pengut dhe zhdukjes së trupit, Rexhepi dyshohet se u kishte treguar familjarëve identitetin e personave që e kishin rrëmbyer, duke pretenduar se ata kishin vepruar në kundërshtim me porosinë fillestare.
Rexhepi mohon përfshirjen, SPAK kërkon prova të tjera
Nga ana e tij, Dritan Rexhepi ka mohuar kategorikisht përfshirjen në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Në deklarimet e dhëna përpara Gjykatës së Posaçme, ai ka pretenduar se nuk i njeh të pandehurit e tjerë dhe se persona të ndryshëm mund të kenë përdorur emrin e tij pa dijeninë e tij.
Tashmë, përfshirja e komunikimeve të SKY ECC në fashikullin gjyqësor i jep SPAK mundësinë të paraqesë materiale të tjera për të mbështetur akuzat dhe për të sqaruar komunikimet e dyshuara mes personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Procesi gjyqësor vijon në GJKKO, ndërsa seanca e 11 dhjetorit 2026 pritet të jetë një tjetër etapë e rëndësishme për dosjen e Jan Prengës, një prej krimeve më të rënda që tronditën opinionin publik shqiptar. Gjashtë vite pas ngjarjes, familja e viktimës ende nuk ka mundur të gjejë trupin e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



