Kush i zhduku paratë? Zbardhet skema e skandalit të 700 mijë eurove në Postën e Durrësit
Një skemë e dyshuar për përvetësimin e rreth 700 mijë eurove është zbuluar në Filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku sipas auditimit të brendshëm mungojnë 69 milionë lekë të rinj nga fondet që duhej të kalonin në arkat e degëve të Shijakut dhe Krujës.
Kontrollet financiare dhe pamjet e kamerave të sigurisë kanë nxjerrë në pah një seri veprimesh të dyshimta, të cilat dyshohet se janë përsëritur për disa muaj, gjatë prillit dhe majit të vitit 2026.
Në qendër të hetimeve janë ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, shefja e Financës, Valbona Duni, dhe specialistja Paola Dana. Sipas dokumentacionit hetimor, mekanizmi dyshohet se funksiononte përmes përgatitjes së mandatpagesave për Shijakun dhe Krujën, ndërkohë që paratë nuk regjistroheshin si të depozituara në arkat e këtyre degëve.
Si funksiononte skema e dyshuar?
Gjithçka nisi të zbulohej pasi Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare konstatoi diferenca në llogaritë kontabël të institucionit. Filiali i Durrësit nuk kishte transferuar fondet përkatëse në llogarinë qendrore, duke ngritur dyshime për abuzime financiare.
Për këtë arsye, në prill dhe maj 2026 u krye një auditim i brendshëm, gjatë të cilit u evidentuan mandatpagesa të regjistruara në sistem për degët e Shijakut dhe Krujës, por pa hyrje përkatëse të parave në arkat e këtyre filialeve.
Sipas auditimit, vlera e përgjithshme e këtyre diferencave arrin në rreth 69 milionë lekë të rinj.
Por dyshimet nuk mbetën vetëm në dokumentacionin financiar. Verifikimi i kamerave të sigurisë nxori në pah lëvizje të përsëritura të thasëve me para, të cilat merreshin nga arka, dërgoheshin në zyra dhe më pas dilnin nga ambientet e filialit.
Sipas skemës së dyshuar, fillimisht përgatiteshin mandatpagesat për degët e Shijakut dhe Krujës. Më pas, në dokumentacion vendoseshin edhe firmat e arkëtareve të këtyre degëve, të cilat dyshohet se ishin të falsifikuara. Ndërkohë, shumat që në dokumente rezultonin të transferuara, nuk mbërrinin kurrë në destinacionin përkatës.
Kamerat kapin lëvizjet e parave dhe daljen me çanta
Një prej episodeve të evidentuara nga auditimi i përket datës 2 prill 2026. Në orën 15:28, shefja e Financës, Valbona Duni, së bashku me një specialist finance dhe në prani të Paola Danës, merr një thes me para të sapoardhur nga banka.
Thesi dërgohet fillimisht në zyrën e shefes së Financës dhe më pas në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj. Vetëm pak minuta më vonë, në orën 15:39, kjo e fundit largohet nga zyra me një qese të bardhë transparente, përmbajtja e së cilës nuk identifikohet nga pamjet filmike.
Në të njëjtën datë rezulton të jetë përgatitur mandatpagesa nr. 2330, në vlerën 5 milionë lekë, për llogari të degës së Shijakut. Dokumenti mbante firmat e Matajt, Dunit, Danës dhe një punonjëseje të degës Shijak, firma e së cilës dyshohet se ishte falsifikuar.
Një tjetër episod është regjistruar më 14 prill. Në orën 13:06, Valbona Duni merr një thes me vlera monetare nga arka dhe futet në zyrën e saj, ndërsa pranë saj ndodhet edhe Paola Dana.
Për këtë datë është evidentuar mandatpagesa nr. 2706, në vlerën 10 milionë lekë, për degën e Krujës. Edhe ky dokument mbante firmat e tre punonjëseve të filialit dhe të arkëtares së Krujës, firma e së cilës dyshohet se ishte falsifikuar.
Më 15 prill, kamerat regjistrojnë sërish lëvizje të dyshimta. Në orën 14:13, Valbona Duni merr një tjetër thes me para nga arka, në prani të Paola Danës. Rreth 22 minuta më vonë, ajo largohet nga ambientet e punës me një çantë dore.
Në këtë rast, mandatpagesa nr. 2748, në vlerën 10 milionë lekë, rezulton e përgatitur për degën e Krujës, por shuma nuk figuron e depozituar në arkën përkatëse.
Paratë në fasheta 5 mijë lekëshe dhe firmat e dyshuara të falsifikuara
Një tjetër moment i dokumentuar i përket datës 20 prill 2026. Në orën 13:39, Paola Dana i jep Valbona Dunit rreth 10 fasheta me kartëmonedha 5 mijë lekëshe, të vendosura në një qese plastike.
Pas marrjes së parave, shefja e Financës shkon në zyrën e saj.
Për të njëjtën datë rezulton mandatpagesa nr. 2866, në vlerën 5 milionë lekë, për degën e Shijakut. Edhe në këtë rast dokumentacioni përmbante firmën e arkëtares së degës, e cila dyshohet se ishte falsifikuar.
Sipas hetimeve, veprime të ngjashme janë evidentuar edhe në ditët pasuese. Më 24 prill, njëri prej dy thasëve me para të sjellë nga punonjësit e shoqërimit të vlerave monetare merret nga Valbona Duni dhe dërgohet në zyrën e saj. Edhe për këtë episod rezulton një mandatpagesë prej 5 milionë lekësh për degën e Shijakut, pa hyrjen përkatëse të parave në arkën e saj.
Në fund të muajit prill, mungesat e konstatuara u thelluan më tej. Vetëm më 30 prill, sipas dokumentacionit të referuar në dosje, rezultojnë diferenca prej 11 milionë lekësh.
Edhe drejtoresha shfaqet në lëvizjet e parave
Një nga episodet që ngre më shumë pikëpyetje është ai i 7 majit 2026. Në orën 14:41, Valbona Duni merr një thes me para nga arka, në prani të Paola Danës, dhe e dërgon në zyrën e saj.
Një minutë më vonë, ajo shfaqet duke hyrë me të njëjtin thes në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj. Pak kohë më pas, të dyja dalin nga zyra.
Për këtë datë është evidentuar mandatpagesa nr. 4283/6, në vlerën 5 milionë lekë, për degën e Shijakut, e nënshkruar vetëm nga Paola Dana.
Një ditë më pas, Valbona Duni shfaqet sërish duke marrë nga arka një pako të madhe me kartëmonedha 5 mijë lekëshe, ndërsa në dokumentacion rezulton një tjetër mandatpagesë prej 5 milionë lekësh për Shijakun, me firmat e tre punonjëseve dhe atë të arkëtares, e dyshuar si e falsifikuar.
Sipas verifikimeve të kamerave, episode të ngjashme janë regjistruar deri më 29 maj 2026, duke e çuar vlerën e përgjithshme të mungesave të konstatuara në rreth 69 milionë lekë të rinj.
Përgjegjësia kalon nga njëra te tjetra
Gjatë marrjes në pyetje, Valbona Duni ka pretenduar se përgjegjësia për marrjen e parave i takonte drejtoreshës Elisabeta Mataj. Sipas deklarimeve të saj, kjo e fundit i merrte shumat nga thasët dhe i vendoste në çantën personale.
Shefja e Financës është justifikuar duke pretenduar se kishte zbatuar urdhrat verbalë të drejtoreshës.
Megjithatë, sipas rregullores së Postës Shqiptare për menaxhimin dhe sigurinë e vlerave monetare, administrimi fizik i parave i takon vetëm arkëtares dhe duhet të kryhet sipas procedurave të përcaktuara.
Ndërkohë, hetimet për këtë çështje kanë marrë një dimension më të gjerë pas kallëzimit të depozituar nga vetë Posta Shqiptare më 14 korrik 2026 pranë Prokurorisë së Durrësit.
Dosja ka kaluar në vëmendjen e SPAK, ku po verifikohen edhe dyshime për përfshirjen e personave të tjerë dhe përmasat e mundshme të skemës. Në këtë kontekst përmendet edhe deputetja socialiste e Durrësit, Etleva Budini, për shkak të funksionit që ka mbajtur më herët në drejtimin e filialit.
Përtej 69 milionë lekëve që mungojnë, hetuesit po përpiqen të zbardhin destinacionin e parave dhe nëse skema e dyshuar ka pasur përfitues të tjerë jashtë ambienteve të Postës së Durrësit. Ndërkohë, pretendimet për lidhje të mundshme të këtyre fondeve me blerjen e mandateve politike mbeten pjesë e dyshimeve që kërkojnë verifikim hetimor dhe nuk përbëjnë fakte të provuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



