I alarmuar nga protesta e 28-nëntorit, Rama nxjerr aktin e ri normativ për të frenuar pjesëmarrjen
Vetëm pak orë para protestës kombëtare të paralajmëruar për 28 nëntorin, qeveria ka miratuar një akt të ri normativ, i cili përcakton rregulla të reja për përgjegjësinë dhe kompensimin e dëmeve që mund të shkaktohen gjatë tubimeve.
Vendimmarrja vjen në një moment kur protesta e nesërme pritet të mbledhë qytetarë, përfaqësues të opozitës, por veçanërisht studentë, të cilët prej ditësh kanë shprehur pakënaqësitë e tyre përmes tubimeve dhe reagimeve publike. Miratimi i një mekanizmi të ri financiar, vetëm një ditë përpara protestës, shihet si një tjetër sinjal presioni ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve.
Akti normativ, i përbërë nga 16 nene, përcakton se përgjegjësia për dëmet nuk do të rëndojë vetëm mbi personat që kryejnë drejtpërdrejt akte dhune. Në kushte të caktuara, ajo mund të shtrihet edhe te individët apo organizatat që kanë organizuar dhe drejtuar protestën.
Konkretisht, neni 9 parashikon se organizatorët mund të mbajnë përgjegjësi solidare me autorët e dëmeve, përveç rasteve kur provojnë se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësi t’i parandalojnë.
Një tjetër dispozitë parashikon që shteti të kompensojë plotësisht ose pjesërisht dëmet e shkaktuara ndaj pronës së qytetarëve dhe bizneseve me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, edhe në rastet kur personi që ka shkaktuar dëmin nuk është identifikuar.
Pas kryerjes së kompensimit, Avokatura e Shtetit do t’u kërkojë personave përgjegjës kthimin e shumave të paguara. Nëse detyrimi nuk shlyhet brenda 30 ditëve dhe nuk arrihet një marrëveshje restauruese, ndaj tyre mund të ngrihet padi në gjykatë.
Akti i ri parashikon gjithashtu mundësinë që detyrimet financiare të shlyhen tërësisht ose pjesërisht përmes punës në interes publik, në bazë të një marrëveshjeje vullnetare. Për të miturit kërkohet pëlqimi i prindërve, ndërsa puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën dhe të mos pengojë shkollimin.
Megjithatë, në tekstin e aktit përcaktohet se askush nuk mund të mbajë përgjegjësi vetëm për faktin se ka marrë pjesë në një tubim.
Ky vendim vjen pasi Kuvendi miratoi më herët dy akte normative që lidhen me ndryshimet në ligjin për tubimet dhe kompensimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave.
Ndryshe nga mekanizmi i mëparshëm, i cili lidhej me një periudhë të caktuar, akti i ri nuk ka një kufizim të tillë kohor, por vendos rregulla të përgjithshme për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve.
Në prag të protestës, ku studentët pritet të jenë një ndër grupet kryesore pjesëmarrëse, miratimi i këtyre dispozitave ka hapur një tjetër debat mbi mënyrën se si qeveria po menaxhon pakënaqësinë qytetare dhe protestat kundër saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



