Detajet si fshihet pas emrit të Monika Sojlit, denoncuesi i famshëm i Veliajt, Nesti Angoni
🇬🇧 Read in EnglishPublikuar nga Anisa Mehmeti
Disa letra postare dhe e-maile elektronike kanë mbërritur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), nga një emër i vetëm i quajtur Nesti Perikli Angoni, i cili informon për detaje konkrete të pasurive dhe korrupsionit të zyrtarëve të qeverisë.
Ajo që e bëri të famshëm këtë personazh misterioz ishte rasti i denoncimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku informacionet e Nesti Perikli Angonit shërbyen si indicia kryesore për nisjen e hetimit penal ndaj Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Por pas kësaj çështjeje dhe famës së marrë në publik, denoncimet e Nesti Perikli Angonit u shtuan në adresë të SPAK-ut, duke denoncuar jo vetëm Veliajn, por edhe zyrtarë të tjerë të qeverisë shqiptare.
Gazetari Elton Qyno ka investiguar rastin përmes dokumenteve konkrete, duke zbuluar se Nesti Perikli Angoni është një person që nuk ekziston, i cili fshihet pas një emri tjetër femre të quajtur Monika Sojli.
Por edhe kjo e fundit, pra Monika Sojli, nuk ekziston në Regjistrin e Gjendjes Civile të Shqipërisë. Monika Sojli është një personazh i krijuar si imazh i prezantimit të një karte biometrike nga një kompani private që kishte koncesionin e kartave të ID-së dhe pasaportave biometrike.
Nesti Perikli Angoni ka marrë këtë mostër karte biometrike të shtetases anonime Monika Sojli dhe më pas ka dërguar e-maile dhe letra, duke u identifikuar përmes kësaj shtetaseje.
Një lëvizje të tillë, anonimi Nesti Angoni e ka kryer në disa raste. I tillë është edhe e-maili i dërguar në adresë të SPAK-ut, përmes adresës elektronike [email protected]. Me këtë e-mail është regjistruar në SPAK denoncimi nr. 3040, ku jepet një tablo e qartë e të dhënave të tij, si më poshtë vijon:
Emri: Nesti
Atësia: Perikli
Mbiemri: Angoni
Numri Personal i Identifikimit:
I05101999Q
Adresa e e-mail-it:
[email protected]
Telefon/Celular:
0682555545
Adresa: Tiranë/Qyteti: Tiranë
Të dhënat për subjektin për të cilin bëhet denoncimi:
Funksionar Publik
Veprat Penale:
Neni 260 (Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë)
Numri personal i vendosur në detajet e denoncuesit i përket kartës mostër të ID-së së Monika Sojlit. Ndërsa numri i telefonit, që i përket kompanisë “One Albania”, nuk ekziston.
Më tej, në përshkrimin e kallëzimit, Nesti Perikli Angoni jep detaje të rëndësishme mbi veprimet e një subjekti politik të njohur, i cili më pas është hetuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Por një mekanizëm i tillë është kryer në të paktën 5 dosje të njohura, ku SPAK ka si objekt të hetimit të tij zyrtarë të njohur të Partisë Socialiste.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



