Zbulohen kush ishin dy shënjestrat e tjera të grupit të vrasësve me pagesë
🇬🇧 Read in EnglishPublikuar nga Anisa Mehmeti
Vinçesk Piroli dhe Kristian Ymeri dyshohet se janë tradhtuar nga një bashkëpunëtor i tyre, me të cilin dyshohet se kanë kryer vrasjen e 65-vjeçarit Frrok Lleshi, ish-punonjës i Policisë së Shtetit, i cili u ekzekutua me armë zjarri më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram të Vaut të Dejës.
Në ngjarje dyshohet se kanë marrë pjesë tre persona. Njëri prej tyre tashmë ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Shkodrës, duke u vetëimplikuar në të paktën pesë ngjarje kriminale, përfshirë edhe vrasjen e Frrok Lleshit.
Ky person i penduar është arrestuar në Shkodër për një ngjarje tjetër kriminale dhe më pas ka zgjedhur të bashkëpunojë me prokurorinë, duke rrëfyer përfshirjen e tij edhe në krime të tjera.
Emri i këtij personi që ka bashkëpunuar me drejtësinë ende nuk është bërë publik. Ndërkohë, strukturat e prokurorive të Shkodrës dhe Lezhës po analizojnë veprimtarinë kriminale të këtij grupi, me qëllim përcjelljen e dosjes për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Posaçme, SPAK.
I penduari ka dhënë shpjegime për të paktën pesë ngjarje kriminale. Për njërën prej tyre, atë të vrasjes së Frrok Lleshit, Prokuroria e Shkodrës ka vepruar menjëherë, duke çuar në arrestimin e Vinçesk Pirolit dhe mikut të tij, Kristian Ymerit. Ata akuzohen për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim për qëllime përfitimi, dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.
Por këta të fundit, përveç dyshimeve për përfshirjen në vrasjen e Frrok Lleshit, dyshohet se kanë marrë pjesë edhe në planifikimin e atentateve ndaj Erjon Tucit në Lezhë dhe mikut të tij, Preng Gjinit nga Rrësheni. Ky i fundit i shpëtoi një atentati me tritol më 15 shtator 2020, kur një sasi eksplozivi e vendosur në automjetin e tij shpërtheu në urën e Nisharakut në Tiranë.
Piroli dhe Ymeri u arrestuan teksa lëviznin të armatosur dhe të pajisur me skafandra, mbi një motomjet të vjedhur në Suedi. Ndërkohë, personi i tretë dyshohet se do t’i ndihmonte të largoheshin pas kryerjes së krimit, me një automjet tjetër.
Arrestimi i Vinçesk Pirolit, Kristian Ymerit, i njohur edhe me aliasin Shkambi, dhe Elden Tarjas, më 8 tetor 2026 në Lezhë, po ndiqet nga Policia dhe Prokuroria e Lezhës. Kjo e fundit ka nisur hetimet për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Mësohet se vrasja e Erjon Tucit ishte planifikuar të kryhej në ditët e para të muajit tetor 2026, por personat që kishin marrë përsipër ekzekutimin e atentatit nuk kanë arritur ta identifikojnë në asnjë moment objektivin e tyre.
Gjatë lëvizjes në rrugë me motorin e vjedhur dhe të pajisur me skafandra, ata janë filmuar nga disa kamera sigurie të instaluara në zonë. Njëkohësisht, prania e tyre është vënë re edhe nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar policinë.
Policia Kriminale e Lezhës e ka vlerësuar maksimalisht informacionin, duke kryer disa kontrolle në zonë dhe duke ngritur postblloqe. Falë bllokimit të zonës dhe angazhimit të agjentëve të policisë, u bë i mundur lokalizimi dhe më pas arrestimi i personave që ndodheshin mbi motor.
Gjatë kontrollit, atyre iu gjetën një armë zjarri dhe disa aparate telefonike.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se në njërin prej telefonave të sekuestruar në momentin e arrestimit është gjetur fotografia e një banese në qytetin e Lezhës.
Banesa i përket Erjon Tucit, një person i njohur në qytetin e Lezhës, i cili është skeduar nga policia për disa ngjarje kriminale dhe për trafik droge.
Megjithatë, sipas burimeve policore, ky i fundit ndodhej jashtë shtetit prej rreth një muaji dhe nuk ishte në banesën e tij, as në Shqipëri.
Ndërkohë, hetimet e policisë tregojnë se objektiv i tre personave të dyshuar mund të ketë qenë edhe Preng Gjini nga Rrësheni, i cili u ka shpëtuar dy atentateve mafioze.
Gjini është kushëri me Erjon Tucin dhe besohet se autorët kishin marrë informacion se në banesën e Tucit në Lezhë mund të ndodhej Preng Gjini. Kujtojmë se Vinçesk Piroli konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai është përfshirë në disa ngjarje kriminale dhe është skeduar nga policia si i dyshuar për vrasje me pagesë, pasi më herët është akuzuar për një vrasje në Mal të Zi.
Ndërkohë, në janar të vitit 2022, ai vetë ka qenë shënjestër e një atentati në Shkodër, të cilit i ka shpëtuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



