E shtunë, 28 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Vrasja e ish-policit Frrok Lleshaj, lihen në burg Vinçesk Piroli dhe Kristjan Ymeri
Lajme

Vrasja e ish-policit Frrok Lleshaj, lihen në burg Vinçesk Piroli dhe Kristjan Ymeri

🇬🇧 Read in English

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Vinçesk Pirolin dhe Kristjan Ymerin, i njohur edhe si Shkambi, të dyshuar për vrasjen e ish-policit Frrok Lleshaj. Ngjarja e rëndë ndodhi më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram të Vaut të Dejës.

Pas një hetimi që ka zgjatur rreth një vit, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime se dy personat janë të përfshirë në ekzekutimin e ish-efektivit. Për të mbështetur akuzën, hetuesit kanë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë, tabulatet telefonike dhe dëshmitë e mbledhura gjatë hetimit.

Një prej elementeve kryesore të dosjes janë pamjet filmike, përmes të cilave dyshohet se janë identifikuar lëvizjet e Pirolit dhe Ymerit në zonën ku ndodhi vrasja. Hetuesit kanë ndjekur gjithashtu itinerarin që dyshohet se kanë përshkuar, nga Fushë-Kruja, ku pretendohet se janë blerë armët, përmes rrugës së vjetër Lezhë-Shkodër dhe deri në vendin e krimit.

Një tjetër provë e rëndësishme për prokurorinë është dëshmia e një personi që ndodhet në burg. Ky shtetas ka identifikuar Pirolin dhe Ymerin si autorë të dyshuar të vrasjes, duke deklaruar se i njeh dhe disponon informacione mbi përfshirjen e tyre në ngjarje. Megjithatë, ai nuk ka marrë ende statusin e të penduarit të drejtësisë.

Të dyshuarit mohojnë akuzat

Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë dhe ka kërkuar që dy të dyshuarit të hetohen në masën “Arrest në shtëpi”.

Vinçesk Piroli ka mohuar çdo lidhje me vrasjen, duke pretenduar se po persekutohet nga drejtësia për shkak të publikimeve mediatike që lidhen me emrin e tij. Ai ka vënë në dyshim edhe besueshmërinë e dëshmitarit, duke pretenduar se ky i fundit ka probleme të shëndetit mendor dhe se deklarimet e tij nuk mbështeten në prova konkrete.

Edhe Kristjan Ymeri ka mohuar përfshirjen në krim, duke u shprehur se është person familjar dhe nuk ka lidhje me veprimtari kriminale. Avokatët kanë kërkuar gjithashtu kryerjen e një ekspertimi për të vlerësuar gjendjen psikike të dëshmitarit që i ka identifikuar si autorë të dyshuar.

Pista e vrasjes me pagesë dhe gjakmarrjes

Një prej pistave kryesore që po shqyrton prokuroria lidhet me dyshimet se Frrok Lleshaj mund të jetë vrarë kundrejt pagesës, ndërsa motivi i mundshëm që po hetohet është gjakmarrja, për shkak të konflikteve të mëparshme të familjes së tij.

Sipas të dhënave të hetimit, familja Lleshaj ka qenë e përfshirë në të paktën dy ngjarje të rënda, mes tyre një konflikt mes kushërinjve që përfundoi me vrasjen e një personi dhe një tjetër vrasje të ndodhur në Greqi.

Frrok Lleshaj ishte dënuar më herët me 25 vite burg. Pas lirimit, ishte kthyer në fshatin Paçram, ku merrej me blegtori. Më 4 gusht 2025, rreth dy vite pas daljes nga burgu, ai u vra.

Vinçesk Piroli dhe Kristjan Ymeri dyshohen për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”.

Vendimi për masën e sigurisë nuk përbën shpallje fajësie. Të dy personat konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.