Hashtag.al ka mundur të konsultojë shkresën në fjalë e cila i është dërguar ZOS-it (Zyrës Operacionale të Situatës në KM) ndërsa AKU-ja pranon se shteti shqiptar dhe ligji nuk imponon asnjë përqindje mbi sasitë e vajit të palmës që duhet të lejohen në produktet me bazë qumështin.
Hashtag.al ka hulumtuar mbi situatën ndërsa një verifikim i thjeshtë në dogana zbulon se krahasuar me periudhën e para vitit 2013 sasia e importuar e vajit të palmës në Shqipëri thuajse është dyfishuar.
Janë rreth 25 subjekte tregtare dhe kompani që e importojnë vajin e palmës i cili më pas përdoret si përbërës në industrinë ushqimore dhe sidomos në produktet me bazë qumështin.
Në vitin 2014 sasia e importuar ishte rreth 2400 ton, në 2015 ishte 3200 ton, në 2016 ishte 3000 ton, ndërsa në vitin 2017 kjo sasi ka shkuar rreth 3500 ton.
Vaji i palmës është një konservant i mirë, por dhe një përbërës i dëmshëm për organizmin e njeriut pasi është vështirësisht i tretshëm. Vaji i palmës rrit leverdinë në përpunimin e ushqimit, por ul në mënyrë drastike cilësinë e ushqimit.
Ndërsa shifrat e importeve tregojnë se përdorimi I vajit të palmës nga industria ushqimore në Shqipëri shtohet çdo vit, AKU-ja dhe institucionet shtetërore nuk kanë një gjurmim fiskal të këtij produkti, nga importuesi deri në përdoruesin fundor.
Por ajo çfarë e bën më alarmante situatën është dhe mungesa e dy kritereve:
- Kriteri mbi përqindjen e përdorimit të këtij vaji në produktet me bazë qumështin
- Kriteri i ambalazhimit ku produktet e servirura në treg duhet ta kenë të shënuar përqindjen e vajit të palmës që ka asortimenti. Në shumë prej produkteve të bulmetit apo dhe produkteve të tjera ushqimore, në etiketat e përbërësve nuk përdoret fare termi përshkrues ‘vaj palme’, por në etiketa shkruhet ‘vaj biologjik’.
Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që ka tërësisht jashtë kontrollit situatën me përdorimin e vajit të palmës, ndërsa autoritetet shtetërore përveçse nuk kanë imponuar standard ligjor mbi përqindjen e përdorimit, kanë lejuar që kompanitë të mos cilësojnë përqindjet në etiketa për të informuar blerësit.



