E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skema e radhës së grabitjes së ARMO
Publik News

Skema e radhës së grabitjes së ARMO

Që ta bëjmë të thjeshtë se cfarë po ndodh. Imagjinoni një moment një familje (me mbiemrin “X”), që blen një shtëpi me kredi nga banka. Me pas e vendos këtë shtëpi si kolateral për të marrë dhe një kredi tjetër, dhe një kredi tjetër, dhe një të katërt dhe një të pestë dhe s’paguan këstet e asnjërës. Njëkohësisht nuk paguan as taksa në shtet, nuk paguan as ujin, as dritat, asgjë, por i merr lekët dhe i con në banka offshore (psh në Panama).
Kur mblidhet laku, banka vjen dhe sekuestron shtëpinë dhe e nxjerr në ankand. Natyrisht që në ankand, me ndihmën e shtetit, familja “X” e rregullon që aty të mos paraqitet askush, seancat e ankandit të dështojnë njëra pas tjetrës dhe vlera e shtëpisë të ulet.
Kur vlera është ulur mjaftueshëm, vjen familja “Y” (e cila është po e njëjta familje “X”, thjesht sa ka ndryshuar mbiemrin në gjendjen civile) dhe e blen po të njëjtën shtëpi, por duke qënë se ka ndërruar mbiemrin, nuk është borxhlie për asnjë nga detyrimet që i bashkangjiten shtëpisë, pasi ato i kishte familja “X”, kjo është familja “Y”. Pra familja “X” me një shtëpi,
– morën lekë kredi nga bankat dhe i cuan në offshore
– vodhën lekët e taksave dhe edhe ato i cuan në offshore
– arritën ta blenin shtëpinë me pak para
– nuk mbajtën asnjë nga detyrimet e mëparshme, sepse kishin ndërruar mbiemrin
– nuk mbajtën përgjegjësi penale për asgjë nga të gjitha këto.

E njëtja gjë po ndodh dhe me ARMO. Ky operatori i ri që po e merr, që janë të njëjtët njerëz, tashmë po merr vetëm asetin (fabrikën) dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për borxhet e kompanive të mëparshme (pavarësisht se janë të njëjtët njerëz).
Pra ujku erdhi të vazhdojë shqyerjen e ARMO-s duke vjedhë taksa, duke vjedhë puntorët e me rradhë.

Ndërkohë shtetit sapo iu zhdukën sy më sy 240 milionë dollarë borxhe tatimore, në mes të ditës dhe askush s’e vë ujin në zjarr për të mbajtur përgjegjësi, se në fund të fundit sikur i kanë lekët e xhepit, lekët e deleve janë…
Gjithsesi, nga krahu tjetër aksioni i ujit vazhdon me sukses të plotë.

“Ujku” i naftës, skema e radhës së grabitjes së ARMO

Historia e rafinerisë së përpunimit të naftës së ARMO-s, që prej vitit 2008, kur u privatizua, është e denjë për një film me fokus mashtrimin financiar. Skenari është i njëjtë, vetëm aktorët, të njohur dhe të panjohur, ndryshojnë: Rafineria merret me qira nga një kompani misterioze, shfrytëzohet, nuk paguhen taksat, më pas braktiset duke i lënë radhën një tjetri, që bën të njëjtën gjë.

Aktori më i fundit që ka hyrë në skenën e ARMO-s është “Allum Enterprises”, i cili është në proces të blerjes së rafinerisë së naftës. “Allum Enteprises” sipas ekstraktit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit është krijuar në gusht në vitit 2017 dhe pronari i saj është “ALLUM ENTERPRISES LIMITED”, një kompani e regjistruar në Angli në qershor të vitit 2017, një sipërmarrje guackë, e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, që fsheh aksionerin e vërtetë.

“Allum Enterprises” po zëvendëson “Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A” (IRTC) një tjetër guackë, e regjistruar në Ishujt Virgin, që e shfrytëzoi rafinerinë e naftës deri në nëntor 2017, u largua duke lënë punonjësit pa punë (të cilët filluan protestat), ndërsa rezultoi që nuk kishte paguar as taksat.

Detyrimi fiskal i ITRC, i krijuar në 2017, ishte rreth 4.7 miliardë lekë (rreth 35 milionë euro), kryesisht taksë qarkullimi, sipas burimeve zyrtare nga tatimet. Fillimisht u deklarua që investitori ishte një kompani amerikane, por më pas rezultoi që pas IRTC qëndronte sipërmarrësi shqiptar Besnik Sulaj, i cili e ka mbrojtur publikisht aktivitetin e IRTC.

Përpara IRTC, ARMO shfrytëzohej nga Deveron, sërish një kompani guackë, e lidhur me zotëruesit e aksioneve të shoqërisë ARMO dhe TPD e lidhur me administratorët e IRTC.

Në hije qëndrojnë dhe aktorët e vjetër, të cilët ende drejtojnë lojën. Njëri prej tyre është Cristophe François Bernard Darbord, i cili është bërë administrator i ARMO-S në mars të vitit 2015, (pasi kompaninë e morën Heaney Assets Corporation nga Taçi Oil, i cili e shiti në mes të vitit 2013, rafinerinë që kishte blerë nga shteti në 2008-n).

Dabord, i cili figuron ende si administrator i ARMO në QKB është aksioneri i kompanisë mëmë të TOSK ENERGJI, të quajtur CFD Conseils Sarl, të regjistruar në Gjenevë. Tosk Energji është krijuar në qershor të vitit 2015 me aktivitet në fushën e tregtimit me shumicë të karburanteve. Në 2016-n, ajo u rendit mes 200 kompanive më të mëdha në vend dhe ka deklaruar të ardhura prej 2.2 miliardë lekësh në 2016-n, sipas të dhënave zyrtare të bilancit.

Kompania ka bërë financimin e blerjeve te naftës bruto tek Bankers Petroleum dhe ARMO për llogari të IRTC. Darbord, ndonëse në hije, mbetet aktori kryesor që drejton gjithë skenarin e shfrytëzimit të ARMO.

Skema e shkëputjes së aseteve nga ARMO

Sot ARMO dhe nënkontraktorët e saj janë të zhytur në borxhe, të krijuara në vite që vetëm ndaj tatimeve arrijnë në 240 milionë euro (sipas burimeve zyrtare të tatimeve, pa llogaritur fshirjet nga falja fiskale). Në total detyrimi, përfshirë furnitorët, ujësjellës, energji dhe bankat e huaja arrin në 600 milionë euro, sipas vlerësimeve të mëparshme nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë. Këta kreditorë kanë zënë radhën në përmbarim për të marrë një copë nga pronat e ARMO-s.

Prapaskenat nuk mungojnë në skenarin e komplikuar të ARMO-s. Ato synojnë që të heqin qafe këta debitorë, teksa përmes shitjes së fundit të ARMO-s tek Allum Enterprises, asaj po i merren asetet (rafineria e naftës) dhe ARMO-s po i lihen të gjitha borxhet pa asnjë aset. Në këtë mënyrë, asetet po shkëputen përfundimisht nga ARMO, duke mos i dhënë mundësi debitorëve që të marrin pjesë në likuidimin e pasurisë.

Dhe akti i radhës rifillon aty ku mbeti. Kompania e re do të marrë asetet e ARMO-s në shfrytëzim, ndoshta dhe me bekimin e shtetit (kujtojmë se IRTC-në një vit më parë e mbështetën hapur ministri i financave dhe kryeministri) në emër të rifillimit të punës të 1200 punonjësve. Nëse rafineria do të fillojë të shfrytëzohet sërish do të rezultojë pa fitime (ekspertët e sektorit pohojnë se nafta vendase është shumë e rëndë dhe me kosto të larta për t’u përpunuar) dhe pronarët e rinj do të ankohen se nuk u del të paguajnë taksat. Qeveritarët do të thotë që ne nuk kemi punë, sepse kjo është kompani privati…

Vazhdimin e skenarit e kemi mësuar tashmë, me fundin, që do të jetë sërish i hidhur për punonjësit dhe taksapaguesit…

KLIKO MBI SHIGJETE PER TE PARE SKEMEN INTERAKTIVE

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.