A do ta fitojë Ermal Beqiri dhe vëllai i Gjiknurit tenderin 10 MLN euro?!

 Tenderi 10 Milionë Euro  i Sistemit  Gjyqësor, ankimohet në gjykatë

Një përplasje e heshtur, por e egër, ka shpërthyer në zemër të maxhorancës socialiste për një tortë prej 10 milionë eurosh: tenderi i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për ndërtimin e Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS).

Në qendër të betejës janë kompanitë Advanced Business Solution dhe bashkimi i Kreatx me Soft & Solution.

Kompania e parë, e lidhur më herët me rrethin e ngushtë të kryeministrit Rama, ka depozituar një ankesë zyrtare pranë Komisionit të Prokurimit Publik, duke hedhur akuza serioze për parregullsi, favorizim dhe manipulim të rezultatit.

Advanced Business Solution pretendon se kishte ofertën më të ulët, por tenderi iu dha ofertuesve më të shtrenjtë: bashkimit të kompanive ku pas njërit qëndron biznesmeni Ermal Beqiri, i njohur për fitoret e tij të shpeshta në tenderët e AKSHI-t, dhe nga ana tjetër, Panajot Gjiknuri, vëllai i ish-ministrit të infrastrukturës.

Ky skandal nuk është thjesht një çështje procedurash: është një luftë e hapur për para, influencë dhe kontroll mbi një nga sistemet më të ndjeshme të drejtësisë shqiptare.

Nga dokumentet e siguruara, rezulton se:

  • Oferta më e ulët (818.8 milion lekë) u injorua;
  • Fituesit u shpallën me një ofertë më të lartë (924.3 milion lekë);
  • ABS pagoi 50 mijë euro garanci vetëm për të hapur betejën ligjore.

Nëse ky tender do të zbardhet realisht, shumë më tepër se thjesht para janë në lojë: është kredibiliteti i vetë reformës në drejtësi.

Dhe ndërkohë që SPAK kërkon fatura lobimi, në krah tjetër miliarda lekë kalojnë në duar të lidhura me pushtetin – pa shumë zhurmë, por me shumë pasojë.

Publikuar nga Publik Media