‘Afera korruptive e Ballukut, po cenohet edhe siguria kombëtare’
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve më të fundit në lidhje me ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Ai e ka cilësuar këtë projekt si një nga aferat më të rënda korruptive të qeverisë Rama, duke vënë theksin veçanërisht mbi rolin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se kjo aferë ka tejkaluar çdo kufi të imagjinueshëm dhe përbën jo vetëm një skandal të thellë financiar, por edhe një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të vendit.
Ai akuzon qeverinë se po përpiqet të mbyllë zërin e opozitës në Kuvend, me qëllim shmangien e çdo debati publik apo kontrolli parlamentar mbi çështje të tilla madhore.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Korrupsioni me Aeroportin e Vlorës ka kaluar çdo kufi të imagjinueshëm edhe për vendet e botës së tretë. Një aferë gjigande financiare është shndërruar në rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. E pangjashme me asgjë më parë në këto 35 vjet, kjo megaaferë ka dy përgjegjës: Edi Ramën dhe Belinda Ballukun. Prandaj këta duan një opozitë memece në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj këta nuk duan as debat, as kontroll parlamentar, as pyetje, asgjë që i gërvisht aferat monstruoze të kësaj Qeverie.
I siguroj Edi Ramën dhe Belinda Ballukun se opozita nuk do të lejojë degradimin e Kuvendit dhe shndërrimin e tij në një organizëm memec, që kurdiset sipas interesit të Edi Ramës. Do të reagojmë, do të protestojmë në mbrojtje të funksionimit demokratik të Kuvendit dhe në mbrojtje të interesit publik. Gjithashtu, e siguroj Belinda Ballukun se me kryeaferën, që mban firmën e saj “Aeroporti i Vlorës”, do të merremi me seriozitetin më maksimal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



