AKU sqaron heliminin e fëmijëve në Gramsh: Shkak u bënë vezët e kontaminuara

Të tjera detaje dalin nga rasti i infektimit të fëmijëve të infektuar me salmonelë pak ditë më parë në kopshtin publik të Gramshit.

Sipas informacioneve, mësohet se shkak janë bërë vezët me salmonelë.

Burime pranë AKU kanë bërë të ditur se vezët e përdorura në kopshtin nr 1 në Gramsh kanë qenë të kontaminuara.

Kujtojmë se pak ditë më parë u raportua infektimi i fëmijëve me salmonelë në kopshtin publik, ku ishin marrë mbi 70 mostra, nga të cilat 17 raste dolën pozitivë, të infektuar me salmonelë.

Simptomat e fëmijëve ishin të rënda, ku katër prej të cilëve iu desh të merrnin trajtim nga bluzat e bardha.

Lidhur me këtë ngjarje pati edhe një protestë në dyert e kopshtit publik nga prindërit e fëmijëve të infektuar, të cilët kërkonin zbardhjen e ngjarjes. Kjo e fundit u mbajt e fshehtë për disa ditë nga autoritetet vendore dhe qendrore, të cilët nuk raportuan mbi infektimin e fëmijëve.

Fillimisht, u raportua se infektimi i të miturve u shkaktua nga mishi i pulës që kishin konsumuar në kopsht.

Publikuar nga Publik Media