E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria në duart e një partie shtet
Lajme

Shqipëria në duart e një partie shtet

 IDC-CDI miraton rezolutën që dënon procesin e 11 majit dhe kërkon qeveri teknike

Organizata më e madhe politike në botë, Internacionalja Demokrate e Qendrës – IDC/CDI, me 108 parti anëtare nga mbarë globi, ka miratuar një rezolutë të fortë dënuese ndaj zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shqipëri, duke i cilësuar ato si një “farsë politike” që nuk përmbushi asnjë nga standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Rezoluta u miratua më 30 maj në Asamblenë e Përgjithshme të IDC/CDI, mbajtur në Abixhan të Bregut të Fildishtë, pas paraqitjes së provave dhe materialeve nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi.

Në dokumentin zyrtar, IDC/CDI thekson se procesi zgjedhor në Shqipëri u shoqërua me presion sistematik ndaj votuesve, frikësim, blerje vote, keqpërdorim masiv të burimeve publike, kontroll të qeverisë mbi median dhe censurë politike, përfshirë ndalimin e TikTok për arsye të hapur politike. Veçanërisht problematike u konsiderua shpërndarja e bonuseve prej 100 euro për 760.000 pensionistë, fshirja e borxheve dhe gjobave me vlerë mbi 200 milionë euro vetëm pak ditë para votimeve, dhe shpenzimi i rreth gjysmë miliard euro në tenderë dhe koncesione në kundërshtim me ligjin.

Rezoluta thekson se këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të kritereve të Kopenhagenit, që lidhen me lirinë e votës, ndarjen e partisë nga shteti dhe lirinë e shprehjes.

Organizata kërkon formimin e menjëhershëm të një qeverie teknike, për organizimin e zgjedhjeve të reja, zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, si dhe ndërprerjen e përndjekjes politike ndaj liderëve opozitarë, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun, Ervin Salianjin dhe Fredi Belerin.

IDC-CDI ngre alarmin për:

  • Kapjen e shtetit dhe bashkëpunimin me elementë kriminalë për të manipuluar zgjedhjet;
  • Pandëshkueshmërinë institucionale, ku mbi 200 kallëzime për krime zgjedhore dhe qindra denoncime pranë KQZ kanë mbetur pa ndjekje penale;
  • Presionin sistematik ndaj administratës publike, që sipas rezolutës u shndërrua në “rrjet patronazhistësh” për fushatën e PS-së.

Në një deklaratë të bërë në rrjetet sociale, Belind Këlliçi e cilësoi miratimin e rezolutës si një “fitore të së vërtetës ndaj propagandës”, ndërsa Sali Berisha e përshëndeti si një konfirmim të faktit se zgjedhjet nuk ishin të lira e as të ndershme.

Çfarë kërkon IDC/CDI?

  • Zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për reforma zgjedhore;
  • Ndërprerje të përndjekjes politike ndaj liderëve opozitarë;
  • Qeveri teknike për zgjedhje të reja;
  • Pluralizëm mediatik dhe akses të barabartë për opozitën;
  • Mision ndërkombëtar vëzhgimi në Shqipëri për verifikim të fakteve në terren;
  • Kushtëzim të negociatave të BE me Shqipërinë përmes reformave zgjedhore e demokratike.

Organizata paralajmëron se “konsolidimi autoritar dhe ndikimi kriminal në Shqipëri përbëjnë kërcënim serioz për demokracinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.