Akuzat e forta: Rama telefonoi dhe kërcënoi prokuroin për Ballukun
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ai ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë për të mbrojtur Belinda Ballukun, zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.
“Nuk është sekret, e kam bërë publike. Disa ditë para se zonja Balluku të paraqitej në Prokurori, Rama ka marrë në telefon prokurorin dhe e ka kërcënuar. Është fakt i pamohueshëm. Mjafton që të verifikohen tabulatet,” tha Bardhi.
Sipas tij, qëllimi i Ramës ka qenë mbrojtja politike e Ballukut, e cila sipas Bardhit “mban në dorë 40% të buxhetit të shtetit dhe e përdor atë për abuzime në tendera”.
“Ai e mban në detyrë që ajo të vazhdojë të abuzojë me tenderat. Po ndajnë në mënyrë korruptive, personale, për të vjedhur shqiptarët,” deklaroi Bardhi.
Bardhi rikujtoi edhe komunikimet telefonike mes Ballukut dhe ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, të cilat sipas tij tregojnë ndikimin mbi tenderët:
“Në dosje ka komunikime me mesazhe nga një telefon BlackBerry midis Ballukut dhe drejtorit të ARRSH-së. Balluku kërkon ofertat dhe e urdhëron të anulojë tenderin, pa pasur asnjë arsye ligjore. Berberi i përgjigjet: ‘Ti, kur ndjesitë i ke të mira.’”
Sipas Bardhit, këto komunikime tregojnë qartë tentativën për të ndikuar në vendimet ligjore dhe për të favorizuar interesa personale, duke ngritur pikëpyetje mbi pavarësinë e institucioneve dhe transparencën në tenderat publikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



