Akuzohet për marrëdhënie seksuale me të mitur, arrestohet 59-vjeçari
Një 59-vjeçar nga Elbasani është arrestuar nga Policia gjatë fundjavës, pasi dyshohet se tentonte të krijonte kontakte me të mitur me qëllim kryerjen e marrëdhënieve seksuale.
Sipas burimeve jozyrtare, ndaj tij është ngritur dyshimi për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, e mbetur në tentativë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 59-vjeçari siguronte numrat e telefonit të të miturve përmes mashtrimit dhe joshjes. Më pas, ai komunikonte me ta dhe u propozonte takime, të cilat fillimisht zhvilloheshin në ambiente publike, si kafene, ndërsa më tej dyshohet se i ftonte edhe në banesën e tij.
Pas arrestimit, Policia ka vijuar punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe mbledhjen e provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e veprimeve të dyshuara.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë procedurat përkatëse ligjore.
Ndërkohë, hetimet mbeten të hapura për të përcaktuar nëse në këtë rast ka persona të tjerë të përfshirë apo nëse ekzistojnë raste të tjera që lidhen me të dyshuarin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



