Al Jazeera: Durresi qyteti i 200 mijë banorë, që është kthyer në një qytet fantazmë
Rrjeti i njohur, Al Jazeera, në një reportazh nga Shqipëria, shkruan se qyteti i Durrësit është braktisur nga banorët pas tërmetit që vrau dhjetëra persona.
“Paslëkundjet e vazhdueshme kanë terrorizuar qytetin me 200 mijë banorë, që është kthyer në një qytet fantazmë”, raporton Al Jazeera.
“Gjysma e qytetit është evakuuar tashmë. Njerëzit janë terrorizuar. Qindra janë shtruar në spital dhe qindra familje kanë humbur shtëpitë e tyre,” thotë për Al Jazeera, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, teksa viziton Durrësin.
Al Jazeera thotë se përveç Durrësit, të prekura janë edhe godinat në Tiranë.
“Është e qartë se disa nga këto ndërtime ishin totalisht jashtë standardeve të sigurisë,” tha presidenti Ilir Meta për rrjetin Al Jazeera. Ai tha se duhet bërë një hetim.
Shumica e dëmeve në Durrës u bënë aty ku pritej më pak, në Rrugën Pavarësia, e mbushur me hotele të reja dhe luksoze dhe blloqe apartamentesh, raporton rrjeti gjigand.
Disa dukej se nuk kishin themele të përshtatshme. Hoteli Villa Verde u gjunjëzua në plazhin ku ishte ndërtuar, ndërsa u përkul përpara detit.
“Gjysma e ndërtimeve në Shqipëri janë relativisht të reja, 15, 20 apo maksimumi 25-vjeçare. Shumë prej tyre janë kritikuar për cilësinë e dobët të ndërtimeve. Shumë analizë duhet bërë, në nivel shoqëror dhe ligjor,” thotë Lulzim Basha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





