Alabbar bëhet pishman: Në Shqipëri ndërtova shpejt, ishte gabim
Mohamed Alabbar mbërriti në Shqipëri mes një publiciteti të madh. Kryeministri Edi Rama e prezantoi si njeriun pas mrekullive të Dubait, ndërtuesin e “Burj Khalifa” dhe investitorin që do ta shndërronte Portin e Durrësit në një nga projektet më ambicioze të Mesdheut.
Megjithatë, zhvillimet në projekt kanë qenë larg pritshmërive të shpallura. Investimi prej rreth 2 miliardë dollarësh, i paralajmëruar në nisje të projektit, nuk është materializuar ende sipas planit, ndërsa së fundmi autoritetet pranuan zyrtarisht se dy nga godinat e ndërtuara në kantier ishin fundosur.
Në këtë sfond, vetë Mohamed Alabbar duket se ka pranuar se mënyra se si u zhvillua projekti në Shqipëri nuk ishte e duhura.
Në një intervistë, themeluesi i kompanisë Emaar deklaroi se: “Në Shqipëri ndërtova shumë shpejt dhe kjo ishte gabim.”
Biznesmeni u ndal edhe te një tjetër investim të tij në bregdetin e Malit të Zi, të cilin po ashtu e cilësoi si një vendimmarrje të gabuar. Sipas Alabbar, projekti u ndikua nga këshillat e një juristi indian, të cilat, sipas tij, rezultuan të pasakta.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur projekti i Portit të Durrësit vazhdon të jetë në qendër të debatit publik, për shkak të ritmit të punimeve, kostove të projektit dhe problematikave të raportuara gjatë zbatimit të tij.
Pranimi publik se ndërtimi në Shqipëri u zhvillua “shumë shpejt” pritet të ushqejë më tej diskutimet mbi mënyrën se si është menaxhuar një prej investimeve më të mëdha të shpallura në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



