Alarm në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, kafshët mes mjerimit
Arinjtë, ujqërit dhe luani kërkojnë hije mes temperaturave ekstreme, gjendja e ujit dhe plagët te kafshët ngrenë pikëpyetje serioze
“Kafshët nuk mund të tregojnë se kanë etje, se po vuajnë nga nxehtësia apo se kanë dhimbje. Nuk mund të largohen nga aty dhe as të kërkojnë ndihmë.”
Ky është shqetësimi që ngrihet për situatën e kafshëve në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, në një periudhë kur temperaturat kanë arritur deri në 38°C. Sipas denoncimeve dhe pamjeve të bëra publike, kushtet në të cilat po qëndrojnë disa prej kafshëve ngrenë pikëpyetje serioze për mirëqenien dhe kujdesin ndaj tyre.
Në pamje shfaqen arinjtë, luani, ujqërit, si edhe kafshë të tjera, mes tyre lopë dhe kuaj, të cilat duken të lodhura nga temperaturat e larta dhe kërkojnë hapësirat me hije për t’iu shmangur ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell.
Një tjetër shqetësim lidhet me furnizimin me ujë. Sasia e ujit të vendosur për kafshët pretendohet se nuk është e mjaftueshme për përballimin e temperaturave të larta, ndërsa pamja e ujit ka ngritur gjithashtu pikëpyetje lidhur me higjienën dhe standardet e mirëmbajtjes.
Pamjet e publikuara ngrenë shqetësim edhe për gjendjen shëndetësore të kafshëve. Të paktën një prej ujqërve duket se ka plagë të dukshme në trup, ndërsa mbetet e paqartë nëse kafsha po merr trajtimin e nevojshëm veterinar.
Kopshti Zoologjik i Tiranës është një hapësirë që vizitohet rregullisht nga qytetarë dhe turistë. Por, përtej asaj që shihet nga vizitorët, shqetësimi kryesor lidhet me kushtet e jetesës së kafshëve që ndodhen brenda ambienteve të tij.
Kafshët në robëri varen tërësisht nga kujdesi i personave dhe institucioneve që janë përgjegjëse për to. Për këtë arsye, garantimi i ujit, hijes, ushqimit, higjienës dhe kujdesit veterinar nuk është vetëm çështje mirëqenieje, por edhe përgjegjësi që duhet të përmbushet nga strukturat që administrojnë dhe mbikëqyrin objektin.
Situata e raportuar kërkon verifikim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse, kontrolle mbi kushtet e kafshëve dhe transparencë mbi mënyrën se si po menaxhohet Kopshti Zoologjik gjatë valës së të nxehtit.
Nëse problematikat e evidentuara konfirmohen, përgjegjësit duhet të marrin masa konkrete për përmirësimin e kushteve dhe mbrojtjen e kafshëve. Banorët e Kopshtit Zoologjik nuk mund të mbeten pa zë përballë temperaturave ekstreme dhe mungesës së mundësisë për të kërkuar vetë ndihmë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



