Albini në Kosovë do gjithçka, si vëllai i madh Rama në Shqipëri
Kriza e mbrëmshme për moszgjedhjen e Presidentit të Kosovës nuk është një incident procedural. Është pasojë direkte e një logjike politike që po bëhet gjithnjë e më e njohur në rajon: logjika e pushtetit total.
Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë marrë mandat të fortë për të qeverisur. Por ai mandat nuk është mandat për të kontrolluar çdo institucion të shtetit. Presidenti i Republikës, sipas Kushtetutës së Kosovës, kërkon një konsensus shumë më të gjerë se shumica parlamentare. Kërkon 2/3 e votave. Kërkon kompromis.
Kriza mund të ishte shmangur nëse qeveria do të pranonte një fakt elementar: shumica parlamentare nuk është e barabartë me shumicën kushtetuese.
Së pari, ata që kanë marrë mandat për të qeverisur duhet të kuptonin se nuk kanë mbështetjen e dy të tretave të votuesve dhe, për rrjedhojë, nuk mund ta imponojnë vetë kreun e shtetit.
Së dyti, situata nuk do të përshkallëzohej nëse nuk do të ishte shmangur në mënyrë të hapur kandidatura e Vjosa Osmanit. Justifikimi ishte se opozita nuk e mbështeste. Por më pas u propozua një kandidat tjetër që po ashtu nuk kishte mbështetjen e opozitës. Pra, problemi nuk ishte konsensusi, por kontrolli.
Së treti, insistimi në formulën “me çdo kusht një militant i yni në krye të shtetit” e zhvendos sistemin nga demokracia parlamentare drejt një modeli të centralizuar të pushtetit.
Ky model është i njohur në rajon. Shqipëria e ka provuar prej vitesh: një parti që kërkon të kontrollojë qeverinë, parlamentin, presidencën, drejtësinë dhe çdo institucion tjetër. Dihet realiteti blozë në Shqipëri: një shtet nën këmbët e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës.
Pushteti i Albinit duket se po ndjek devizën “ose të gjitha, ose asgjë”, dhe rezultati nuk është stabilitet politik. Është bllokim institucional. Ndoshta ndikimi jo pa peshë i presidentes Vjosa Osmani në zgjedhje të reja të parakohshme do t’i heqë mundësinë e një shumice parlamentare për të qeverisur si këtë radhë.
Sepse në fund mund të lodhen qytetarët e Kosovës.
Sepse shteti nuk ndërtohet mbi fitoret elektorale, por mbi balancat institucionale. Kur këto balanca refuzohen, krizat bëhen të pashmangshme. Kurti po i kërkon të gjitha pushtetet për vete, si vëllai i madh Edi Rama, në një kohë lufte dhe pasigurie totale në botë. Zgjedhjet e parakohshme do të vërtetojnë nëse ka filluar edhe rënia politike e Albin Kurtit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



