E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Albstar & Bankers: Si u zhvatën miliardat nga nëntoka shqiptare
Lajme

Albstar & Bankers: Si u zhvatën miliardat nga nëntoka shqiptare

Albstar & Bankers: Si u zhvatën miliardat nga nëntoka shqiptare – një sfidë e hapur ndaj SPAK-ut

Pasuria nëntokësore e shqiptarëve është kthyer prej vitesh në plaçkë për një grusht oligarkësh të lidhur me politikën dhe bizneset ndërkombëtare. Njëri prej shembujve më flagrant të kësaj zhvatjeje është skandali i heshtur 5.5 miliardë euro me kompaninë Bankers Petroleum, ku në qendër të aktivitetit dyshohet se qëndron kompania Albstar e oligarkut Idajet Ismailaj.

Faturime fiktive, mashtrim fiskal, zhdukje fitimesh dhe pastrim parash

Në dosjen e brishtë të Prokurorisë së Fierit dhe dokumenteve financiare të siguruara nga publik.al, del qartë se kompania Albstar është përdorur si instrument për fryrjen artificiale të shpenzimeve të Bankers Petroleum, në mënyrë që kjo e fundit të shmangte detyrimet ndaj shtetit shqiptar dhe të zhdukte fitimet e vërteta për t’i kanalizuar në llogari të tjera.

Vetëm në vitin 2011, Albstar ka përfituar 22 milionë euro nga Bankers, me shërbime të dyshuara si të pakryera ose të mbivlerësuara në funksion të skemës së vjedhjes sistematike.

 Një tjetër skemë: kompania “IR shpk” dhe ndërtimet luksoze

Në shtator 2016, Idajet Ismailaj, përmes familjarëve të tij, krijon kompaninë “Reas 16” – e cila më pas do të quhet IR shpk. Fillimisht e kontrolluar përmes Finman dhe më pas përmes vetë Albstar, kjo kompani u kthye shpejt në një tjetër kanal për të qarkulluar para të dyshimta të ardhura nga Bankers.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Fierit, përmes faturimeve fiktive janë transferuar qindra mijëra euro, ndërsa xhiroja vjetore e IR shpk arriti deri në 6 milionë euro, me fitime prej 2 milionë euro në vit, për punë që realisht nuk janë kryer.

Rroga 85 mijë euro në muaj për babë e bir

Nga një verifikim i listës së pagave, rezulton se Sadik Ismailaj dhe Idajet Ismailaj, të dy pronarët e Albstar, i kanë caktuar vetes një pagë mujore prej 85 mijë euro secili, ose 170 mijë euro në muaj të dy bashkë – pra afro 2 milionë euro në vit.

Kjo “rrogë e artë” është një fyerje publike për qytetarët shqiptarë që paguajnë taksa, dhe një provë e drejtpërdrejtë e përfitimeve të paligjshme që vijnë nga një bashkëpunim mafioz mes biznesit dhe kompanive ndërkombëtare.

Kullat, Butrinti dhe krimi mjedisor i legalizuar

Një pjesë e këtyre parave dyshohet se është përdorur për të financuar kullën ngjitur me stadiumin Kombëtar dhe për të ngritur vilat luksoze në zonën e mbrojtur të Parkut të Butrintit, aty ku ministrja Mirela Kumbaro e nisi gjithçka si një “pikë të vockël”, por që sot është kthyer në një katastrofë mjedisore të ligjëruar nga shteti.

Ku janë paratë? Çfarë bën SPAK?

Të gjitha faktet, shifrat dhe lidhjet janë të dokumentuara. Dosja e Prokurorisë së Fierit ka një pasqyrë të qartë të rrjetit financiar kriminal që përfshin Albstar dhe Bankers. E megjithatë, asnjë arrestim, asnjë masë sigurie, asnjë konfiskim.

Përveçse një aferë me përmasa miliardëshe, rasti Albstar-Bankers është një sfidë e hapur për SPAK-un dhe një test për shtetin e së drejtës në Shqipëri. Nëse ky rast nuk hetohet në thelb dhe nuk çon para drejtësisë autorët dhe përfituesit, atëherë çdo fjalë për “luftë kundër korrupsionit” është një mashtrim shtetëror.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.